Transmetuar më 08-01-2024, 21:00

Me një lëvizje krejt të papritur, Edi Rama shpalli sonte shkrirjen në një të vetme, të tre ministrive, duke u hequr "thelën" ministrave ekzistues dhe promovuar Blendi Gonxhen të cilin e hoqi nga drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor për ta vënë në krye të superministrisë së re me portofoli të skajshme dhe larg funksionimit tradicional.

Rama shpalli ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për shkak se siç tha ai, "lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit".

Për Ramën, këto dikastere, për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën.

E gjitha kjo, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial.

Rama thotë se kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike dhe sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër.

Ndërsa thekson se sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.

"Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës", njoftoi Edi Rama.

Për drejtimin e kësaj superministrie të re, Rama i propozoi sot Presidentit të Republikës, drejtorin aktual të DPSHTRR, Blendi Gonxhja.

Kryeministri e cilësoi Gonxhen një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane."

Rikthimi i Gonxhes në qeveri vjen pas afro 26 vjetësh. Më 1998, Rama e mori si shef kabineti kur ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ndërsa në 2000, kur Rama u bë kryetar bashkie e mori atë si zëvendësin e tij.

Në 2015, Gonxhe u rikthye në bashki, këtë radhë me Kryetar Erion Veliajn i cili u mjaftua ta vendosë si drejtor ndërmarrjeje.

Nga Nëntori 2018, Blendi Gonxhja u emërua nga Kryeministri Edi Rama për të drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kjo lëvizje e papritur e Ramës, shihet nga disa si një përpjekje për të promovuar Gonxhen në strukturat e larta qeverisëse dhe të Partisë Socialiste dhe këtë e tregon qartë dhënia e një superministrie. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd