Transmetuar më 09-01-2024, 21:35

Qeveria shqiptare është tërhequr nga plani për ndërtimin e një aeroporti civil në Sarandë. Ky hap vjen pasi dështuan disa tenderë për ndërtimin e tij.

Me një vendim të fundit, qeveria ka zhvendosur destinacionin, duke shpallur ndërtimin e këtij aeroporti pranë qytetit të Gjirokastrës.

Pohimin e ka bërë zëvendëskryeministrja Belinda Balluku:

“Duhej të rishikonim planet për efikasitet. Duke qenë se kemi një pistë në Gjirokastër, kemi ndërtuar infrastrukturë dhe duke qenë se në Shqipëri nuk po zhvillohet vetëm turizmi bregdetar, Aeroporti i Jugut synohet të jetë në rajonin e Argjirokastrës dhe t’i shërbejë të gjithë rajonit jugor, përfshirë Sarandën dhe Himarën”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi e cilësoi sot vendimin e qeverisë për ndërtimin në Gjirokastër të aeroportit të jugut, një kartolinë të bukur në nisje të vitit 2024.

Golemi u shpreh se “ky është një lajm i mirëpritur që i shton vlerë gjithë përpjekjes që ne kemi bërë këto vite për ta vënë këtë aset në shërbim të turizmit”.

“Kemi bërë çmos ta lironim pistën aktuale e të merrnim aprovimin për fluturimet sportive dhe ia dolëm mbanë.

Tani është përpara një punë tjetër më e madhe për investimin që do të kryhet e më pas operimin e këtij aeroporti, i cili do të çlirojë potenciale të tjera zhvillimi për Gjirokastrën, Sarandën dhe krejt jugun e vendit”, u shpreh GoGolemi.

Ai shtoi se së shpejti do të nisin punimet dhe në një të ardhme të afërt kjo vepër infrastrukturore do të jetë gati për fluturimet e para.

Ky pritet të jetë aeroporti i katërt civil në Shqipëri. Pas atij të Rinasit, u hap aeroporti i Kukësit, ndërtimi i të cilit zgjati afro 15 vjet. Por ai thuajse ka dështuar pasi e vetmja kompani e huaj që u fut, WizzAir, tërhoqi fluturimet e nisura, kurse AirAlbania është e vakët në frekuencë dhe destinacione.

Aeroporti i tretë është ai i Vlorës, i cili nuk dihet se kur do të hapet dhe nëse do të jetë sezonal apo gjithëvjetor. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd