Transmetuar më 10-01-2024, 16:58

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Lezhë, ku zhvilloi prej dy ditësh një mbledhje të zgjeruar për prioritetet e 2024, në parlament, qeveri dhe parti.

Mbledhja u organizua në 3 sesione; një sesion me drejtuesit e grupit parlamentar, drejtuesit politikë të partisë dhe anëtarët e kabinetit, një i dytë, me një mbledhje të zgjeruar të kabinetit qeveritar me praninë edhe të zëvendësministrave dhe një sërë drejtuesish të institucioneve qendrore dhe një sesion të tretë, s të mbledhjes së ngushtë të kabinetit qeveritar.

Në përfundim të ditës së dytë të diskutimeve, Kryeministri Rama zhvilloi një konferencë për shtyp me gazetarët e pranishëm.

Duke folur për infrastrukturën rrugore, Rama u ndal në Korridorin Blu. Ai njoftoi se, "brenda këtij viti do të hapim për qarkullim aksin shumë të rëndësishëm nevralgjik Thumanë -Kashar ku thuajse 70% e punimeve janë duke u realizuar, pra, ishte mbi 60 e pak përqind vetëm pak kohë më parë.

Kemi qartësi për ecurinë e aksit, e procesit për të filluar punën me aksin Milot-Thumanë, pjesë tjetër shumë nevralgjike pasi e dimë shumë të mirë të gjithë sesa e vështirë është bërë dhe sa shumë do të vështirësohet edhe këtë sezon lëvizja gjatë kohës së verës sidomos nga veriu, drejt jugut apo drejt Tiranës dhe besojmë që do të procedojmë përpara sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar- Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj që praktikisht përfundon gjithë boshtin e Korridorit.

Ndërkohë që po punohet për fazën e parë të procesit të segmentit Milot-Murriqan. Po punohet për projektin.

Nga ana tjetër, kemi po ashtu adresuar nevojën për financim të by-pass-it të madh të Elbasanit, në kushtet kur Korridori 8 ecën me shumë shpejtësi në sajë edhe terrenit të favorshëm dhe gjeologjisë shumë të favorshme deri sot që flasim.

Jemi në kalendar për të përfunduar me segmentin e parë hekurudhor Tiranë-Durrës, sipas gjasave, brenda vitit dhe ndërkohë kemi diskutuar financimin e 4 kilometrave që duhen për të lidhur edhe 10 stacione të tjera nga Kashari në qendër të Tiranës. Jemi në proces dhe besoj që në fillim të vjeshtës do të lidhim dhe kontratën për të filluar punën për Vorë-Han i Hotit.

Kemi fituar nga fondet europiane financimin për segmentin Durrës-Rrogozhinë ndërkohë që kemi përgatitur aplikimin tjetër për të shkuar më poshtë, Rrogozhinë-Pogradec që të kompletojmë Korridorin 8 edhe me vijën hekurudhore dhe kemi diskutuar po ashtu, sepse ka një komunikim intensiv dhe kthehem prapë këtu në zonë praktikisht, me qeverinë e Kosovës për ecurinë e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe ka një dakordësi në parim nga të dyja strukturat përkatëse të dy qeverive për të eksploruar një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra, për sa kohë, po të kemi Vorë-Han i Hotit, nga Shkodra në Gjakovë dhe në Prishtinë dhe kjo është një zgjidhje shumë e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës.

Po ashtu, kemi pak a shumë kalendarizuar procesin për hapjen e garës ndërkombëtare për Portin e Madh të Durrësit, në Porto Romano për të cilin do të bëjmë së shpejti një ndryshim të natyrës së financimit pasi është një projekt strategjik dhe ka një urgjencë strategjike duke qenë se kemi përfshirë edhe NATO-n në këtë proces për krahun ushtarak të portit dhe jemi në një fazë shumë të avancuar të shkëmbimit të informacionit.

Ndryshimi do të jetë që do të kalojmë me financim të brendshëm në mënyrë që të mos varemi nga kohët e tejzgjatura dhe nga ngarkesat e tjera që burojnë nga financimi i huaj.

Kryeministri shpalli edhe një risi:

Një projekt tjetër i madh, jo infrastrukture, por që lidhet me shfrytëzimin e infrastrukturës, është që më në fund finalizojmë këtë vit dhe hapim aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Transportit, jemi një vend që synojmë të bëhemi kampionët absolutë, tani i kam shtuar dhe fjalën “absolut” pozicionit të Shqipërisë në rajon për turizmin.

Agjencia Kombëtare e Transportit do t’i shërbejë kalimit në një nivel komplet tjetër të gjithë sistemit të transportit dhe Agjencia Kombëtare e Transportit do të mbulojë edhe një mision tjetër shumë të rëndësishëm të transportit të mësuesve dhe të fëmijëve.

Kemi filluar punën prej kohësh, por jemi në finalizim dhe besoj do ta dëgjoni në dy tre muajt në vijim, por besoj dhe më shpejt, krijimin e një agjencie aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit dhe natyrisht edhe për eksport.

Është një projekt shumë i bukur që do të na japë mundësinë të prodhojmë për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme, nevojat e Agjencisë Kombëtare të Transportit dhe patjetër edhe për eksport, duke u bazuar tek gjenialiteti dhe tek ekspertiza e pamohueshme e një vajze shqiptare, që e njihni të gjithë dhe më të cilën jemi duke ndërtuar këtë proces me ndërmarrjen e saj modeste që sidoqoftë fiton gara ndërkombëtare për të dërguar autoambulanca nga Ukraina deri në Serbi".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd