Transmetuar më 13-01-2024, 19:01

Ditën e sotme, një patrullë e policisë së Kosovës, është përplasur nga një automjet me targa të Novi Pazarit, në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut.

Shoferi i automjetit, identiteti i të cilit akoma nuk dihet, teksa po drejtonte automjetin ka përplasur një efektiv të policisë së Kosovës dhe makinën e patrullës.

Sipas mediave kosovare, incidenti ka ndodhur pasi patrulla i ka bërë me shenjë automjetit të ndalojë për një kontroll, thirrje e cila nuk është respektuar nga shoferi.

Policia ka reaguar ndaj këtij sulmi, duke shtënë me armë zjarri drejt makinës, por ka pasur vetëm dëme materiale.

Sipas policisë, shoferi ka arritur të dalë nga makina dhe është arratisur në këmbë duke vrapuar.

Ndër të tjera, blutë e Kosovës, njoftojnë se ka gjetur 2 kilogramë drogë në makinën me targa serbe.

“Rreth orës 12 e 40 në Suhodoll derisa policia kishte bërë përpjekje për të ndaluar një veturë e cila dyshohej se kishte narkotikë, shoferi i saj ka goditur me veturë policin i cili ishte në këmbë e po ashtu edhe veturën e policisë. Në përpjekje për ta ndaluar sulmin nga vetja, policia ka shtënë me armë zjarri por nuk ka të lënduar”, tha zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd