Transmetuar më 27-01-2024, 21:43

KOSOVË- Kushtrim Kokalla, i arrestuarI i tretë si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt, ka dëshmuar se Naim Murseli e ka lutur atë prej rreth një viti që të kryejë vrasjen e 30-vjeçares.

Në dëshmitë e siguruara nga Paparaci, Kokalla ka deklaruar se Naim Murseli e ka planifikuar edhe më herët vrasjen e gruas së tij, ku i ka ofruar edhe para Kokallës për ta përfunduar planin e tij.

Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njëkohësisht edhe familjar i Naim Murselit, mohon të ketë pranuar këtë kërkesë nga Murseli dhe thotë se i ka bërë thirrje që mos ta bëjë vrasjen asnjëherë.

“Vlen të ceket se Naimi prej afër një viti mua më ka lutur që të e kryej këtë vrasje. Atëherë unë i kam thënë se nuk vjen në shprehje që të bëj këtë punë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, thuhet në dëshminë e Kokallës të siguruar nga Paparaci.

Në dëshminë e tij, Kokalla pranon se Naim Murseli dhe autori i dyshuar i vrasjes së Liridona Ademajt, Granit Plava, janë takuar përmes tij, por mohon që të ketë gisht në vrasjen e saj. Ai ka dhënë detaje edhe për mënyrën e komunikimit mes Murselit e Plavës si dhe detaje tjera për ditën kritike të vrasjes së Liridona Ademajt dhe ditën e varrosjes së saj.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd