Transmetuar më 01-02-2024, 15:09

KOSOVA- Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën kanë vizituar lagjen “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, pas raportimeve se në muret e një shtëpie në ndërtim janë vizatuar shkrime kundër shqiptarëve. Nga Mitrovica Krasniqi dhe Sveçla thanë se kërcënimet e Serbisë nuk i trembin dhe do të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në katër komunat veriore.

“Shtëpitë që po rindërtohen me pronarë shqiptarë janë mbuluar me parulla ekstremiste që nuk kanë vend në Kosovë. Çfarëdo gjuhe e urrejtës ndëretnike, çfarëdo gjuhë që nxit dhunë është e dënueshme. Akterët do të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë. Siç e kemi thënë më herët, për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë”, tha Sveçla.

Ndërsa Krasniqi u shpreh se shtëpitë e shqiptarëve të cilat janë duke u ndërtuar në këtë lagje kanë qenë target i vandalizmit.

“E drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre është e drejtë për secilin qytetar, është e drejtë elementare. Qeveria do ta garantojë këtë drejtë. Kemi filluar ndërtimin e 40 shtëpive në katër komunat veriore vitin e kaluar. Këto grafitë tregojnë që Serbia nuk është e interesuar për normalitet dhe nuk është e interesuar të ketë orientimin evropian. Kjo tregon se ku është e orientuar Serbia. Këto nuk na trembin dhe nuk do të ndalim me ndërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët”, tha Krasniqi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd