Transmetuar më 15-02-2024, 20:00

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar sekretarin amerikan, Antony Blinken dhe shtetin amerikan, për përpjekjet e tyre të integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Është proces që varet nga çfarë bëjmë ne, varet nga gjykimi i partnerëve dhe aleatëve tanë por prej disa vitesh ne e kemi ndjerë dhe e çmojmë shumë interesimin e vazhdueshëm të administratës amerikane, posaçërisht Departamentit të Shtetit dhe faktin që në vazhdimësi sekretari në takimet e rëndësishme me aleatët evropianë, nuk e lë pa e nënvizuar nevojën për ta shtyrë më tutje integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si një interes strategjik të Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar ai.

Kryeministri shqiptar ka folur edhe për relacionin e SHBA-ve me Kosovën duke thënë se ata kanë qenë, janë dhe do të mbeten “mbështetëset e palëkundur të procesit të njohjes së Kosovës”, transmeton RTKlive.

“Është mirë që shqiptarët të mos e harrojnë që pa SHBA-të nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës dhe se interesi i SHBA-ve për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri dhe Kosovë nuk është një interes i dorës së dytë, nuk është as një interes i ndarë nga interesi ynë në Shqipëri dhe Kosovë. Ne ndjehemi të keqardhur sa herë shohim hapa mbrapa dhe jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e dialogut dhe të vetëdijshëm për tragjedinë jo shumë të largët për ata që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Rama.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd