Transmetuar më 17-02-2024, 08:26

Kosova feston sot 16-vjetorin e Pavarësisë. Më 17 Shkurt 2008, në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputetë, Kuvendi shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Flamuri shtetëror i Kosovës u shpalos që në ditën e shpalljes së pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit.

Ligjshmëria e pavarësisë për një kohë të gjatë ka qenë temë e diskutueshme, pasi Serbia ka kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës duke e cilësuar të paligjshme. Për këtë ajo kërkoi edhe opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 2008, kërkesë që u hodh poshtë më 22 korrik 2010.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, ata vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (’97-’99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Më 18 shkurt 2008 presidenca e Bashkimit Evropian vendosi që vendet anëtare të ishin të lira për të vendosur nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e vendeve të unionit evropian e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin atë.

Programi i plotë i manifestimeve shtetërore për shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë:

Në orën 08:00, Qeveria e Kosovës do të mbajë Mbledhje Festive. Në orën 08:20, do të bëhet ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës.

Më pas do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve, nga ora 08:30. Në 08:45, do të bëhen homazhe te varri i ish-Presidentit Dr.Ibrahim Rugova, e më pas te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Në 09:50, do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Do të bëhen edhe nderime te Monumenti “Heroinat”, te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë, si dhe te pllaka e fëmijëve të vrarë gjatë luftës, që ndodhet në oborrin e Kuvendit.

Ndërkohë, seanca solemne e Kuvendit do të mbahet me fillim nga ora 12:00. Nga ora 17:00, mbahet pritja shtetërore nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.

Dy aktivitetet e fundit të kësaj dite janë Koncerti i Pavarësisë që do të mbahet në orën 18:00 në shesh, si dhe Koncerti solem i Filharmonisë së Kosovës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd