Transmetuar më 17-02-2024, 16:39

VLORË- Një 35-vjeçar me tre identitete është vënë në pranga ditën e sotme në Vlorë.

Sipas njoftimit të policisë i riu është vënë në pranga pasi së bashku më dy persona të cilët janë shpallur në kërkim kanë planifikuar një vrasje.

Më tej në njoftim bëhet me dije se ata kishin siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer një vrasje.

Nga ky operacion janë shpallur në kërkim edhe dy persona ku po punohet për kapjen e tyre.

“Zhvillohet nën drejtimin e SPAK-ut operacioni policor i koduar “Trekëndëshi”, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetje të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë dhe Tiranë, Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, zhvilluan operacionin policor të koduar “Trekëndëshi”, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për 3 shtetas.

Gjatë operacionit, u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin M. K. alias M. I. alias M. M., 35 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, në funksion të këtij vendimi penal u bë shpallja në kërkim e shtetasve L. Z. dhe E. Z.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin shkurt 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd