Transmetuar më 20-02-2024, 17:07

Shtatë shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane me urdhër të prokurorisë e cila kishte kërkuar masën e sigurisë arrest me burg. Operacioni u krye në orët e para të mëngjesit të së martës në Firence dhe Prato. 3 personave të tjerë iu është ndaluar dalja natën nga ora 19:00 deri në orën 07:00 të mëngjesit.

Njëkohësisht, policia ka kryer kontrolle edhe ndaj 18 të dyshuarve të tjerë. Arrestimi i shqiptarëve ka ardhur si rezultat i hetimeve të një operacioni të mëparshëm për trafik ndërkombëtar droge, të kryer me 5 Shkurt, ku u ekzekutuan 83 masa sigurie. Në kuadër të këtij hetimi, doli në pah emri i një shqiptari.

Sipas policisë italiane, u zbulua se shqiptari së bashku me persona të tjerë në Shqipëri kishte kryer tregtim kokainë, hashashi dhe marihuane nga viti 2018 deri në verën e vitit 2022. Droga e sasive të mëdha ishte transportuar me kamionë, e modifikuar dhe fshehur siç duhet nëpërmjet kompanive të transportit.

Për këtë operacion, u krijua një ekip i përbashkët hetimor midis forcave policore italiane dhe shqiptare, të koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Firences dhe SPAK. Si rezultat i këtij bashkëpunimi:

– u arrestuan 34 persona, 20 prej të cilëve qershorin e kaluar gjatë ekzekutimit të masave paraprake të kryera nga Policia Shqiptare, në atë territor, së bashku me oficerë të Borgo San Lorenzo.

– U sekuestruan 39 kg kokainë, 55 kg hashash, 68 kg marihuanë, 34 kg heroinë, 4300 euro para në dorë, 5 kamionë dhe një furgon.

– Procedura penale aktualisht është në fazën e hetimeve paraprake dhe parimi i prezumimit të pafajësisë vlen për të gjithë të dyshuarit. Faji i tyre duhet të vërtetohet me një dënim të formës së prerë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd