Transmetuar më 05-02-2017, 11:58

Policia e Elbasanit ka dështuar në përpjekjen për të arrestuar 2 trafikantë droge në këtë qytet, kurse thotë se ka arritur të vërë në pranga tre persona. Ata dyshohet të jenë korrierë të lëndës narkotike.

Në një komunikatë për shtyp, drejtoria rajonale e policisë në Elbasan, njoftoi të dielën se janë shpallur në kërkim, 27-vjeçari T.K. dhe 29-vjeçari Xh.K., që të dy banues në fshatin Shalës të Cërrikut.

Sakaq, në operacionin e koduar “Administratori”, ku policia dështoi të kapë dy trafikantët e mësipërm, në pranga përfunduan Flori Kuqja, 35 vjeç, dhe Enver Dobra, 27 vjeç, nga fshati Shalës i Cërrikut, si dhe Fatos Serani, 37 vjeç nga Berati.

“Arrestimi i tyre u bë në kuadër të një proçedimi proaktiv të ndjekur me metoda speciale hetimi, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Flori Kuqja u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 30 kg lëndë narkotike e dyshuar me atë të llojit Cannabis Sativa”, – tha policia.

Tashmë ata akuzohen për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, ndërsa materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. /noa.al/