Transmetuar më 02-10-2017, 10:10

Humbje e madhe për botën e letrave, ndahet nga jeta albanologu i njohur kanadez i cili ka shkruar shumë për Shqipërinë.

Robert Elsie u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare, ndërkohë që amaneti i tij ka qenë që të prehej në Shqipëri.

Lajmi është bërë i ditur nga shkrimtarja Flutura Açka, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Shkrimtarja i ka bërë thirrje ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Kryeministrit Edi Rama të çojnë në vend amanetin e albanologut kanadez, Elsie.

“Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton. Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kulturen shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme”, shkruan Açka.

Kush është Robert Elsie- Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuver (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh.

Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978.

Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të ‘takimeve shkencore’ midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve 70-të dhe në fillim të viteve 80-të i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë.

Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur.

Elsie është autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë. /a.y/noa.al