Transmetuar më 03-01-2018, 17:45

Stina e dimrit na bën më të predispozuar për t‘u sëmurur. Qytetet me dendësi të madhe të popullsisë, janë vendi ideal për zhvillimin e viruseve gripalë që hidhen sa nga një kontinent në tjetrin në kërkim të të ftohtit dhe viktimave të radhës. Një person i rritur zakonisht mund të marrë 2 deri në 5 të ftohura në vit, ndërsa ata që vuajnë më shumë janë fëmijët që shkojnë në shkollë, të cilët jo rrallë mund të sëmuren nga gjendje të ndryshme gripale edhe 10 herë brenda vitit. Më poshtë gjeni disa hapa që duhet të keni parasysh për të luftuar këto viroza të stinës.

1. Lani duart

Me kalimin e moshës, çdokush mëson se si të marrë masa mbrojtëse ndaj të ftohtit, apo viruseve të ndryshme gripale të stinës. Një nga këto masa mbrojtëse është larja e vazhdueshme dhe e shpeshtë e duarve dhe mbi të gjitha mosprekja e hundës, sidomos në publik. Kjo, sepse gishtat mund të ndoten lehtësisht nga viruset dhe t‘i transmetojnë ato më lehtësisht nga një person te tjetri. Kur sapo ke marrë në duar ndonjë virus dhe prek hundën, atëherë nis infektimi që kalon shumë shpejt edhe në zonën e syve. Larja e herëpashershme e duarve mund të shmangë deri në një shkallë të caktuar përhapjen e viruseve brenda familjes.

2. Viruset e të ftohtit janë të vështirë që të transmetohen

Viruset e të ftohtit nuk janë shumë ngjitës. Në eksperimentet që janë bërë në kushte laboratorike me individë të shëndetshëm, që i janë nënshtruar një ambienti të infektuar, është vënë re se nuk është edhe aq e lehtë të transmetosh një virus nga një person te një tjetër. Një person është i ndjeshëm dhe i gatshëm për të marrë virusin kur i shfaqen teshtimat e para, rrjedhja e hundëve, apo kolla. Virusi shumëfishohet në qelizat e mukozës së hundës dhe del jashtë përmes teshtimave, apo të folurës.

3. Stresi mund të shkaktojë gjendje gripale

Presioni i jetës së përditshme mund të bëjë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve. Eksperimente të kryer te vullnetarë të ndryshëm tregojnë se ata që kanë pasur probleme në shtëpi, ose zyrë, apo në jetën e tyre janë më të prirur që të sëmuren me viroza të ndryshme gjatë stinës së ftohtë. Stresi lidhet shumë me rezistencën e përgjithshme trupore ndaj infeksionit. Sigurisht që nuk dihet ende mekanizmi që e shkakton këtë gjë, por mendohet se ka një rritje të hormonit të kortikosteroideve, që njihen për ulje të rezistencës. Shtimi i stresit në jetën moderne mund të jetë një nga shkaqet kryesore të uljes së rezistencës dhe përhapjes së kollajtë të infeksioneve virale e gripale në qytetet me popullatë të dendur.

4. Ekzistojnë 200 viruse që shkaktojnë të ftohtët

Kur mendoni që po ia hidhni gripit mos u gëzoni shumë, sepse një tjetër mund t‘ju godasë sakaq. Shkaku për këtë është lloji i virusit. Antitrupat që zhvillon organizmi kundër të ftohtit të parë nuk mund të të mbrojnë nga një virus i një lloji tjetër. Gjatë dimrit qarkullojnë shumë lloje virusesh, mjaftueshëm për të të mbajtur mbërthyer të gjitha ditët e vitit. E ndërsa ata janë të llojeve të ndryshme simptomat i kanë thuajse të njëjta dhe ne shpesh kujtojmë se na është rikthyer të ftohtët e jo se kemi marrë një virus tjetër

5. Mikrobet, kolla dhe teshtimat

Nëse mikrobet kalojnë nëpër hundën dhe gojën tuaj, trupi përpiqet t’i nxjerrë ato jashtë. Kolla dhe teshtitja nxjerrin jashtë mikrobet nga mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes. Të vjellat dhe diarreja nxjerrin mikrobet që kanë hyrë në stomakun dhe zorrët tuaja. Këtu vlen të theksohet që do bënit mirë që mos ta mbanit asnjëherë përbrenda vetes dështimin.