Transmetuar më 08-03-2018, 13:11

Mbrëmjen e së mërkurës, shteti i Katarit nënshkroi dy marrëveshje bashkëpunimi me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, në kuadër të vizitës zyrtare të Emirit Tamim bin Hamad Al Thani në Belgjikë që prej të martës.

Sipas agjencive të lajmeve, gjatë nënshkrimit të “Marrëveshjes për Bashkëpunim në çështjet ushtarake dhe të sigurisë mes të Qeverisë së Katarit dhe Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) me seli në Bruksel” ishin të pranishëm edhe Emiri i Katarit dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Në këtë kontekst, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani nënvizoi në llogarinë e tij në Twiter se "Katari dhe NATO-ja hodhën themelet e bashkëpunimit ushtarak. Marrëveshja e nënshkruar nga të dy palët sot është e një rëndësie strategjike që do të ndihmojë në përgjigjen më të mirë kundrejt sfidave të paqes dhe sigurisë në nivel rajonal dhe në mbarë botën".

https://twitter.com/TamimBinHamad/status/971431885091082246

Gjithashtu, Emiri mori pjesë edhe gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Ministrisë së Jashtme të Katarit dhe Shërbimit të Veprimit me Jashtë të BE-së, që u nënshkrua respektivisht nga Ministri i Jashtëm Katarian Sheikh Muhammed bin Abdul Rahman Al Thani dhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE Frederica Mogerini.

Këto marrëveshje kanë për qëllim "mbështetjen dhe forcimin e marrëdhënieve mes palëve nëpërmjet inkurajimit të shkëmbimit të informacionit dhe konsultimeve, nxitjen e mirëkuptimit reciprok dhe zhvillimin e dialogut mes tyre për të arritur objektivat e përbashkëta në fushat me interes dypalësh".

Gjatë takimit mes Emirit të Katarit dhe Frederica Mogerini u diskutuan mënyrat për të mbështetur konsolidimin e bashkëpunimit mes Katarit dhe Bashkimit Evropian në fusha të ndryshme, si dhe u shkëmbyen pikëpamjet mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me emigracionin dhe refugjatët, si dhe fenomeni i terrorizmit, mënyrat e luftës ndaj tij dhe eleminimin e burimeve të financimit të tij.

Po ashtu, Emiri i Katarit takoi dje në mbrëmje në kryeqytetin belg Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, ku biseduan për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Katarit dhe Komisionit Europian në të gjitha fushat. Të dy palët shkëmbyen pikëpamjet e tyre rreth një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët.

Theksohet gjithashtu se Emiri i Katarit dhe delegacioni shoqërues mbërritën dje vonë në Bullgari, ku u pritën nga Ministri i Shtetit dhe Drejtori i Zyrës së Presidentit të Republikës së Bullgarisë Ivo Khristov dhe zyrtarë të tjerë të lartë.