Rama flet nga Vlora për projektet e reja: Lungomare do vijojë deri në Orikum
Transmetuar më 01-09-2018, 12:09

Kryeministri Edi Rama thotë se jemi në vijim të sezonit më të pastër, më të sigurtë dhe me rritjen më të madhe të numrit të turistëve krahasuar me vitet e shkuara dhe se pritshmëria është që deri në fund të vitit të shkojë në 6 milionë turistë.

Ai deklaroi se do i jepet fund problemit të derdhjes së ujërave të zeza dhe një sërë ndërhyrjesh të ujësjellës kanalizimeve në të gjithë jugun, duke thënë se është një projekt që do fillojë nga vjeshta e këtij viti, gjë që do të sjellë përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Rama deklaroi se do vijojë projekti nga tuneli në Orikum, duke krijuar një rrugë të re, në mënyrë që rruga ekzistuese të jetë për këmbësorët si Lungomarja.

Ai bëri me dije se do vijojë me Orikum-Llogaranë, për të cilën tha se do jetë rruga që do lidhet me by-passin e ri të Vlorës, për të vijuar më tej me Kuçin, Himarën dhe Nivicën.

Rama deklaroi se do të vijohet me segmentet e tjera rrugore të lumit të Vlorës.

Sa i takon aeroportit të Vlorës bëri me dije se aktualisht po bëhet procesi i negociatave, duke shprehur besim për mbylljen e negociatave dhe nisjen e punës.

Për by-passin e Fierit, deklaroi se është prishur komplet kontrata dhe është bërë çdo gjë nga e para nga BERZH dhe brenda pak javësh pritet përgjigja, duke shpresuar që sezonin e ardhshëm të mund të jetë e kalueshme, ndonëse nuk mund të ketë përfunduar.

Sa i takon rrugës Kashar-Rrogozhinë, deklaroi se shkurton rrugën Tiranë-Vlorë në rreth 55 minuta.

Rama premtoi se bulevardi i ri i Vlorës do jetë një vlerë e shtuar dhe që sezonin e ri do jetë gati.

Ai deklaroi se kur thotë sezon më i pastër e bën duke e krahasuar me veten tonë, nga shumë pis në pis dhe se nuk është krahasim nga pastër në shumë pastër.

“Shumëkujt që kritikon i them që ne kemi katër vjet që punojmë për fushën sanitare të mbetjeve të qarkut të Vlorës dhe pse katër vjet, sepse kemi bërë aplikimin, gjithë procedurën e trajtimit nga banka gjermane, kemi marrë aprovimin, është bërë projekti, është në procedurë dhe nuk është u tha sot, u bë sot, por është një proces. Vitin e ardhshëm shpresoj do fillojë puna për ndërtimin e fushës sanitare, e cila do i japë fund mbledhjes dhe trajtimit të mbetjeve në Vlorë”, u shpreh Rama.

Ai tha se ka përfunduar puna për fushën sanitare në Marikaj, por problemi është që të shtohen më shumë kapacitete edhe të bashkive, për të bërë pastrimin e përditshëm pastërtisë.

Por sipas kreut të qeverisë problemi janë vetë qytetarët, të cilët i hedhin mbeturinat ku t’iu vijë.

“Është rritur siguria, nëse shikojmë se nga vijmë nuk ka të krahasuar. Nga kontrolli i dizhitalizuar te gjobat e policisë që s’do jenë më me blloqe bakalli por të dixhitalizuara deri te kontrolli i imët në territor për të bërë parandalime”, tha Rama. /a.y/noa.al

Loading...