Tre të vrarë për një shpullë, si nisi konflikti që përfundoi me masakër në Mat
Transmetuar më 12-10-2018, 07:58

Tre persona mbetën të vrarë mesditën e kësaj të enjteje në fshatin Shëlli të Matit, dhe gjithçka duket se ka nisur për një shpullë.

Punonjësit e bashkisë së Matit, ishin duke punuar për shtrimin e rrugës së fshatit, kur një banor i zonës, Kujtim Koxha, 51 vjeç u konfliktua me ta.

Rezulton se gjithçka ka nisur rreth orës 12.30, kur Koxha ka qenë në lokalin e fshatit dhe aty kanë ardhur punonjësit e bashkisë për të ngrënë drekë.

Në një moment ai është drejtuar drejt tyre dhe më konkretisht drejt Erzen Aliaj, duke i kërkuar llogari se pse nuk e shtrojnë rrugën deri afër shtëpisë së tij, por shtrojnë vetëm një pjesë.

Kështu Aliaj është çuar nga tavolina dhe ka debatuar me Koxhën në ambientet e jashtme të lokalit, dhe në këtë moment e ka goditur me një shpullë në fytyrë.

Në atë moment kanë ndërhyrë punonjësit e tjerë për ti ndarë, pasi Koxha nuk ka kursyer sharjet, duke qenë dukshëm në gjendje të dehur.

Pas kësaj ai ka shkuar në banesë, ku ka marrë një automatik, dhe ka shkrepur armën me breshëri, drejt punonjësve të bashkisë.

Më tej ai u fsheh në pyllin e fshatit Burgajet, ku pas afro një ore u vu në prangat e policisë, ku 40 efektivë zbritën në terren.

Nga të shtënat gjeti vdekjen e menjëhershme 36-vjeçari Mentor Hoxha, shofer fadrome me banim në fshatin Burgajet, dhe u plagosën rëndë punonjësi tjetër Erzen Aliaj 49 vjeç, banues në Burrel dhe Hamit Buçi 43 vjeç shofer kamioni, banor i fshatit Shëlli, të cilët gjetën vdekjen pak më vonë në spital.

Sakaq i plagosur rëndë vijon të jetë në spital, 40-vjeçari A.H., banor i fshatit Burgajet.

Në videon më poshtë shihni momentet e arrestimit të Koxhës, i cili në pamje të parë duket i qetë, teksa shoqërohet nga policia. /a.y/noa.al

Masakra në Mat, merret në mbrojtje familja e autorit të krimit

Masakra në Mat, flet kreu i Bashkisë: Më thanë “na vranë në bukë”

Ngjarja e rëndë në Mat, vriten dy punonjës të bashkisë, plagosen 2 të tjerë