Cili qytet i Shqipërisë shpenzon më shumë për veshje? Do çuditeni nga renditja
Transmetuar më 12-10-2018, 19:03

Ekonomia nuk është faktori kyç për t’u veshur bukur. Shqiptarët duket se janë të fokusuar dhe mendojnë shumë për të pasur një pamje të kuruar. Edhe pse ndër më të varfrit e Europës, shqiptarët janë shquar ndër vite si sqimatarë pas veshjeve dhe këpucëve.

Për këtë mjafton të shikojmë veshjet tradicionale, ku secila trevë “garon” për veshjen më pompoze e të zbukuruara me ar dhe argjend. Edhe në ditët e sotme, të dhënat tregojnë se shqiptarët nuk e kanë humbur traditën për t’u veshur bukur dhe konkurrojnë për shpenzimet edhe me qytetarët e Bashkimit Europian.

Po cilat janë qarqet e Shqipërisë banorët e të cilëve nuk e kursejnë aspak dorën ku vjen puna për të shpenzuar për veshje dhe këpucë? Do të zhgënjeheni, por kryeqyteti, ku janë të përqendruara institucionet kryesore, ka dyqane pa fund dhe jeta e natës mbizotëron nuk kryeson në këtë listë.

Korçarët kryesojnë listën për sa i përket shpenzimeve për veshje dhe këpucë, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave në Anketën e Buxhetit të Familjeve 2017. Në vitin 2017 banorët e qarkut Korçë shpenzuan për veshje dhe këpucë 5.7% të totalit të të gjithë shpenzimeve. Megjithatë, në krahasim me një vit më parë ku shpenzimet llogariteshin 6.2%, ato ranë.

Të dytët për shpenzimet më të larta për veshje dhe këpucë janë dibranët. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se shpenzimet për veshje dhe këpucë në 2017-n llogariteshin 5.2%, nga 5.4% që ishin një vit më parë. Edhe për qarkun e Dibrës shpenzimet për veshje dhe këpucë ranë në krahasim me një vit më parë.

Qarku i Tiranës, pjesë e të cilit është edhe kryeqytetit, renditet i treti për shpenzimet më të larta për veshje dhe këpucë, me 4.7% të totalit. Në krahasim me një vit më parë Tirana pati rënien më të madhe të shpenzimeve për këtë grup, me rreth 1 pike përqindje.

Më pas për shpenzime të larta renditen qarku Durrës me 4.3% të totali, Gjirokastra me 4.1%, dhe Berati me 3.9%.

Me të njëjtën peshë në shpenzimet totale, vetëm 3.8%, renditet qarku Lezhës, Fierit dhe Elbasanit.

Banorët e Shkodrës dhe Lezhës shpenzuan përkatësisht 3.1% të totalit të shpenzimeve të tyre.

Kukësi, më i varfëri në Shqipëri, është edhe qarku me shpenzimet më të ulëta për veshje dhe këpucë./monitor/