Transmetuar më 15-10-2018, 14:40

Partia Demokratike ka çuar deri në Bruksel denoncimin për lidhje me krimin, të deputetit socialist Taulant Balla.

Teksa ditën e sotme ka nisur mbledhja e Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-Bashkimi Europian, në Bruksel, nënkryetari i delegacionit nga opozita Genc Pollo kërkoi në emër të opozitës që komisioni i përbashkët të mos drejtohet nga Taulant Balla, duke e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar.

Sipas tij, është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar.

“Është e padenjë të kemi një padrino të baronit të drogës në presidium. Turp për maxhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi! Turp për ne të gjithë, po e toleruam edhe në Bruksel. Me Ballën në majë të pirgut s’ka kuptim deklarata e sotme kundër drogës e pro negociatave. Eurodeputetët janë të sikletosur nga Balla. Ç’të bëjmë, zemë hundën me dorë e vazhdojmë punën”, u shpreh Pollo.

Në vijim të qëndrimit të tij, ai tha se eurodeputetët kërkojnë zyrtarisht shpjegime për skandalet e Ballës.

Po ashtu tha se Taulant Balla është pasardhës i denjë i Saimir Tahirit në këtë komision, duke kërkuar që njëlloj si ai të largohet.

Pollo deklaroi se kjo është e fundit mbledhje e Parlamentit ku Taulant Balla është bashkëdrejtues.

Fjala e Pollos u ndërpre nga ndërhyrja e Monika Macovei, nënkryetarja komisionit të Stabilizim Asociimit.

Ajo deklaroi se akuzat e hedhura ndaj Ballës, janë kontrolluar dhe nuk rezultojnë të vërteta.

Pas denoncimit të Ballës, perfaqësuesit e opozitës u larguan nga mbledhja.

Kujtojmë se pak ditë më parë opozita kërkoi largimin e Ballës nga delegacioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit.

Gjithçka duke e akuzuar se shoqërohet me trafikantë droge dhe si i tillë nuk është i denjë për të përfaqësuar në Parlamentin Europian.

Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, anëtarët e opozitës në delegacion, Genc Pollo, Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Jorida Tabaku, Aldo Bumçi dhe Oerd Bylykbashi kërkuan zëvendësimin e Ballës me një tjetër socialist.

Anëtarët e opozitës argumentojnë se Shqipëria nuk mund të përfaqësohet në bisedimet me Brukselin në mbledhjen e 15 tetorit me një politikan që ka pranuar publikisht se ka mik familjar një të dënuar të rrezikshëm për trafik ndërkombëtar droge, Edmond Bego, pasuria e te cilit është shumëfishuar pas miqësisë me Taulant Ballën.

Sipas opozitës, Taulant Balla nuk mund të përfaqësojë Kuvendin në marrëdhëniet me Parlamentin Europian, për shkak se mbi të rëndon akuza se ka marrë pjesë në kërcënimin me pistoletë në kokë të një oficeri policie, që ai të mbyllte çështjen e përdhunimit të djalit të deputetit socialist Rahman Rraja, lidhur me rastin e Xhisiela Malokut.  /a.y/noa.al