Transmetuar më 20-10-2018, 11:04

Goditet një rast i trafikimit të minave me telekomandë për shpërthim në distancë, duke u vënë në pranga një person.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e personave që tentojnë të trafikojnë armë zjarri e lëndë plasëse, policia e Elbasanit vuri në pranga mbrëmjen e kësaj të premteje, 28-vjeçarin Petraq Kote, banues  në Tiranë.

Nga kontrolli i ushtruar nga policia Kotes, në ambientet e një lokali në fshatin Mengel, Labinot-Fushë, iu gjetën katër copë mina me shpërthim në distancë.

Minat ishin të pajisura me aparat telefoni celular me bateri, fije përcjellëse dhe magnet të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Aktualisht vijon operacioni për identifikimin e personave të cilëve 28-vjeçari do t’ua shiste, pasi mendohet se ky ishte qëllimi i tyre.

Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. /a.y/noa.al