Transmetuar më 23-10-2018, 10:09
Edi Rama, foto ilustruese

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme Kryesinë e Partisë Socialiste. Kjo mbledhje vjen pas arrestimeve të fundit të zyrtarëve të lartë, të përfshirë në korrupsion.

Zëdhënësja e Kryesisë së PS, Elisa Spiropali, pas mbledhjes së zgjatur afro një orë, deklaroi se drejtuesit politikë do të rrisin prezencën në territor dhe do të bëjnë analizë të thelluar në terren.

“Ne nuk kemi opozitë dhe nuk mund të presim lindjen e opozitës që të vendosim gishtin në plagët e qeverisjes lokale apo qendrore ku ka nevojë për ndërhyrje. Drejtuesit politikë do të rrisin prezencën në territor, do të ketë dhe shkarkime”, u shpreh ajo.

Lidhur me emrat e të shkarkuarve tha se nuk e ka listën, por bëri me dije se ajo do të bëhet publike dhe se janë kryetarë të PS në rrethe.

Mësohet se nga ana e tij Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të identifikohen drejtorët që nuk punojnë siç duhet dhe të merren vendime për disa shkarkime.

Sakaq ditën e djeshme Rama mblodhi grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku i etiketoi si “legenë” ata drejtorë që kësaj mazhorance po i nxijnë fytyrën.

“Kemi ca drejtorë legena që po na nxijnë fytyrën, me korrupsion dhe keqmenaxhim”, mësohet të jetë shprehur Rama gjatë mbledhjes.

Kujtojmë se gjatë ditës së diel, u bë arrestimi i ish- drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve njëherazi ish-deputetit socialist, Arben Çuko, i akuzuar për korrupsion.

Po në të njëjtën ditë u arrestua edhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka, i akuzuar për falsifikim dokumentesh, me synim tjetërsimin e tokës. /a.y/noa.al