Transmetuar më 23-10-2018, 11:59

Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në nisjen e punimeve për ndërtimin e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme dhe spitalit të kirurgjisë, pranë QSUT.

Ai premtoi se pasi të ketë përfunduar ky spital, do të nisë edhe ndërtimi i një parkimi modern që përfundimisht do ta ndajë shërbimin shëndetësor nga makinat.

“Ashtu sikundër jemi duke bashkëpunuar me drejtorin për të ndërtuar një rrugë të brendshme ndarëse dhe përfundimisht të mos kemi interferenca të atyre që banojnë brenda territorit dhe të mos kalojnë në rrugët spitalore. Besoj se mund ta themi me plotë gojën se me këtë investim të ri dhe me çka ky investim do të sjellë për qendrën, garantojmë një hov të madh cilësor dhe një shërbim shumë më efikas dhe shumë më të integruar”, u shpreh Rama.

Ai tha se spitali nuk mbaron tek muret dhe aparaturat, pro se fillon aty dhe funksionimin e spitalit e garanton trupa, mjekët dhe infermierët, si dhe gjithë personeli.

Në vijim shtoi se “Ne do të investojmë sërish për rritje pagash, do bëjmë një tjetër rritje pagash vitin që vjen për gjithë mjekët dhe infermierët. Është e domosdoshme për të vazhduar të japim një mesazh të qartë të respektit dhe për ta mbajtur sa më të konsoliduar këtë trupë që meriton vlerësim dhe respekt për gjithë sakrificat e përditshme”. /a.y/noa.al