Transmetuar më 23-10-2018, 13:27

Deputeti socialist Ulsi Manja, reagon lidhur me deklaratën e kryedemokratit Lulzim Basha, i cili e akuzoi si të përfshirë në aferën e makinave “Toyota Yaris” të bllokuara me 3.4 milionë euro të fshehura.

Ai e quan Bashën, “djalë të llastuar”, duke paralajmëruar padinë ndaj tij,

“Ehhh, si shkoi kjo punë, shërbëtori i xhepit të vet Lulzim Basha më paska futur edhe mua me një koleg tjetër në Toyota-n e Taulantit! Me shumë kënaqësi, së bashku me kolegun do t’i bashkangjitemi Taulantit në rrugën drejt gjyqit me Lulzimin, ku do t’i kërkojmë këtij djali të llastuar dhe qafir, një sasi të hollash për shpifje për shkak të detyrës!”, shprehet Manja.

Ai shton se një gjë nuk rri dot pa i’a thënë Bashës, “ Kur të të vijë dita të japësh llogarinë tënde para një prokurori, më ke në dispozicion për asistencë kundër tharjes së gurmazit. Si prokuror i hershëm që jam, ua kam lag fytin shumë bilbilave si puna jote kur u ka ardh siraja për t’i ulur në karrigen e hetimit”.

Më herët kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se ishte thirrur sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për hetimin, lidhur me nxjerrjen e sekretit shtetëror sa i takon veprës kriminale të futjes së parave të krimit me makinat ‘Toyota Yaris’.

Në dalje prej organit të akuzës mesditën e sotme, ai deklaroi se ky veprim provon se deklaratat e tij publike për përfshirjen e Taulant Ballës në dhënien e garancive politike për trafikimin e parave të pista janë të vërteta.

Por ai shtoi se në këtë aferë janë përfshirë edhe dy deputetët e Partisë Socialiste, Ulsi Manja dhe Jorgis Çyrbja, përveç Taulant Ballës.

“Në vend që të hetojë se kush qëndron prapa transaksioneve kriminale të miliona eurove në ‘Toyota Yaris’ dhe kush i garanton këto akte kriminale, i trajton si nxjerrje të sekretit shtetëror. Prokuroria ka përgjime zyrtare dhe prova për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës. Ka prova dhe fakte për ta kërkuar dekada burg për Saimir Tahirin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin. Ka fakte dhe prova për ta zhdukur Fatmir Xhafajn nga politika”, u shpreh Balla.

Por sipas tij e kapur nga pushteti i Edi Ramës dhe krimi i organizuar, Prokuroria i trajton lidhjet politikë-krim, si sekret shtetëror. /a.y/noa.al

“Toyota Yaris”, Basha flet me emra: Dy deputetë të tjerë të PS të përfshirë, jo vetëm Balla