Transmetuar më 23-10-2018, 14:15
Jurgis Çyrbja

Deputeti socialist Jurgis Çyrbja, reagon lidhur me deklaratën e kryedemokratit Lulzim Basha, i cili e akuzoi si të përfshirë në aferën e makinave “Toyota Yaris” të bllokuara me 3.4 milionë euro të fshehura.

Ai e ironizon kryedemokratin, duke i thënë se Basha nuk është kreativ, për shkak se i del gjumi vonë.

“Zgjohet e pa larë sytë mendon shpifjen e radhës. E meqë zgjohet vonë, nuk i del koha as të jetë kreativ nga shpifja në shpifje! Unë nuk kam më pse të duroj baltën e Lulzim Bashës”, shkruan Çyrbja.

Më herët kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se ishte thirrur sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për hetimin, lidhur me nxjerrjen e sekretit shtetëror sa i takon veprës kriminale të futjes së parave të krimit me makinat ‘Toyota Yaris’.

Në dalje prej organit të akuzës mesditën e sotme, ai deklaroi se ky veprim provon se deklaratat e tij publike për përfshirjen e Taulant Ballës në dhënien e garancive politike për trafikimin e parave të pista janë të vërteta.

Por ai shtoi se në këtë aferë janë përfshirë edhe dy deputetët e Partisë Socialiste, Ulsi Manja dhe Jorgis Çyrbja, përveç Taulant Ballës.

“Në vend që të hetojë se kush qëndron prapa transaksioneve kriminale të miliona eurove në ‘Toyota Yaris’ dhe kush i garanton këto akte kriminale, i trajton si nxjerrje të sekretit shtetëror. Prokuroria ka përgjime zyrtare dhe prova për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës. Ka prova dhe fakte për ta kërkuar dekada burg për Saimir Tahirin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin. Ka fakte dhe prova për ta zhdukur Fatmir Xhafajn nga politika”, u shpreh Balla.

Por sipas tij e kapur nga pushteti i Edi Ramës dhe krimi i organizuar, Prokuroria i trajton lidhjet politikë-krim, si sekret shtetëror. /a.y/noa.al

“Toyota Yaris”, Basha flet me emra: Dy deputetë të tjerë të PS të përfshirë, jo vetëm Balla

Akuzat e Bashës për përfshirjen “Toyota Yaris”, deputeti socialist: Djalë i llastuar dhe qafir