Transmetuar më 04-12-2018, 14:44

Një mëngjes terrori për një nënë të dy fëmijëve 4 vjeç dhe 11 muajsh, të cilët gjendeshin brenda një makine me motorin ndezur, e cila u vodh nga një person.

Gruaja e kishte lënë makinën ndezur teksa po i binte citofonit të shtëpisë së gjyshes së fëmijëve, ku do të linte vajzën e vogël, para se të çonte djalin në kopsht.

Por në pak çaste, një burrë hipi në makinë dhe u nis me shpejtësi, bashkë me dy fëmijët brenda. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne në Spanjë, në zonën e Collado Villalba, provincë e Madrid.

Gruaja me origjinë afrikano-veriore, e kishte lënë ndezur makinën, në mënyrë që të ruante konstante ngrohjen brenda mjetit, teksa po i binte citofonit të nënës së të shoqit, pasi do linte vajzën dhe vetë do ikte në punë.

Makina ‘Seat Leon’ e zezë e vjedhur u largua me shpejtësi, për të ndaluar në parkimin e një supermarketi, jo shumë larg vendit të ngjarjes, shkruan noa.al.

Kjo pasi fëmija i madh nisi të qante. Kështu hajduti zbriti djalin bashkë me ndenjësen e vogëlushit, duke e lënë në parkim, për t’u arratisur më tej.

Pak orë më vonë mjeti u gjet i braktisur bashkë me foshnjën brenda në zonën e Fuenlabrada, rreth 50 kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja.

Fatmirësisht dy vogëlushët u gjetën shëndoshë e mirë, dhe u kthyen te nëna. /a.y/noa.al