Transmetuar më 09-12-2018, 13:00

Studentët ndodhen në ditën e pestë të protestës së tyre, ku ndonëse e diel janë mbledhur sërish para ministrisë së Arsimit, me thirrje për ulje tarifash.

Ata shprehen të vendosur për të vijuar protestën, deri në momentin që të marrin zgjidhje kërkesat e tyre.

Duke u shprehur të vendosur për të qenë të bashkuar dhe pa ndikime politike, ata këmbëngulin në zgjidhje.

Në të kundërt paralajmërojnë se të martën do të mbahet protesta më masive e të gjithëve.

“Të martën, do të mbahet protesta më e madhe e parë ndonjëherë”, deklaruan të rinjtë.

Por më herët pati edhe momente tensioni dhe dëbimesh, ku të rinjtë akuzuan se ka të infiltruar në radhët e partive, duke bërë thirrje për të mos rënë pre e përçarjes.

Po ashtu me pankarta në duar dhe me fotografi, ata kanë denoncuar dhe pedagogët që kërkojnë favore në këmbim të provimeve.

Kërkesat e studentëve

-Përgjysmim i tarifës së studimit.

-Rritja nga 10 në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

-Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore.

-Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor.

-Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve.

-Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. /a.y/noa.al