Transmetuar më 11-12-2018, 10:21

Për herë të parë në shtatë ditët e protestës së tyre, studentët shqiptarë janë ndalur për të protestuar para Kryeministrisë.

Gjithçka vjen një ditë pas komunikimit të Kryeministrit Edi Rama, i cili i ftoi në dialog.

Me thirrjet “Arsim publik falas”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, studentët kanë brohoritur para godinës së qeverisë.

Krahas studentëve të Tiranës, protestuesve iu janë bashkuar edhe një pjesë e të rinjve të rretheve, ndërsa të tjerë kanë bojkotuar mësimin në fakultetet e tyre.

Nga Durrësi, Elbasani, Shkodra, Vlora, Korça dhe Gjirokastra, të rinjtë janë bërë bashkë për protestën e shumë paralajmëruar për ditën e sotme.

Protestës së sotme i janë bashkuar edhe nxënësit e disa gjimnazeve në Tiranë, të cilët kanë lënë mësimin ditën e sotme, për t’iu bashkuar protestës së studentëve të universiteteve publike, të cilët kanë paralajmëruar protestë masive ditën e sotme.

Nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, “Sami Frashëri” dhe të Shkollës Profesionale të Ekonomikut dhe kryesisht maturantët, kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar studentëve.

Ata kanë dalë nga shkolla e tyre, në rrugë duke bllokuar qarkullimit.

Sakaq studentët kanë paralajmëruar se ora 16.00 e ditës së sotme do të jetë afati i fundit që qeveria t’iu përgjigjet kërkesave të tyre.

Më tej ata kanë paralajmëruar përshkallëzimin e saj, madje edhe grevë urie, në rast se kërkesat nuk marrin zgjidhje.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al

Gjimnazistët lënë mësimin, iu bashkohen studentëve në protestë

Protesta në Tiranë, studentët ulen në rrugë te “21 Dhjetori”