Transmetuar më 14-12-2018, 11:30

Komisioni i Venecias, ka dalë me vendim, duke miratuar opinionin përfundimtar për vetingun në politikën shqiptare.

Mësohet se pjesë e saj janë edhe amendimet e bëra nga Komisioni i Ligjeve të Komisionit të Venecias, të mbështetura nga opozita.

Në opinionin për Shqipërinë, Komisioni i Venecias ka bërë ndryshimet përkatëse.

Në ndryshimet e bëra saktësohet, se shtetet kanë të drejtë të kufizojnë të drejtën për tu zgjedhur.

“Në varësi të situatës politike, një kufizim për një rrethanë të caktuar, që mund të jetë i nevojshëm për një shtet, mund të mos aplikohet për një shtet tjetër”, thuhet në përfundime.

Komisioni Europian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit, i njohur më mirë si Komisioni i Venecias, është organizëm këshillues mbi çështjet kushtetuese.

Fillimisht u konceptua si një mjet për rregullime kushtetuese emergjente, ndërsa tashmë komisioni është shndërruar në një konsulent ligjor i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht. /a.y/noa.al