Transmetuar më 24-01-2019, 13:37
Pamje nga laboratori i heroines

Një shtetas turk i cili rezultonte i shpallur në kërkim, pas zbulimit të laboratorit të heroinës në Has, është gjetur i vdekur.

Nejdet Cesuroglu i cili njihej ndryshe edhe si Lavdërim Limani, është gjetur i vdekur në Prishtinë.

Mësohet se Cesuroglu është gjetur i pajetë në një banesë në Prishtinë në fillim të muajit dhjetor.

Krahas kufomës, në banesë u gjet edhe një sasi lënde narkotike.

Pas zbulimit të laboratorit në muajin tetor në fshatin Brenog të Hasit, policia shqiptare shpalli në kërkim dy shtetasit turq Iskender Sale dhe Nejdet Cesuroglu.

Dyshohet se turqit luanin rol thelbësor në laboratorin e heroinës, pasi dyshohet se sillnin lëndë narkotike nga Afganistani, për tu përpunuar në fshatin e Hasit.

Pas përpunimit lënda narkotike bëhej gati për tu trafikuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Ndërkohë edhe kreu i bosit të laboratorit, rezulton të ketë ikur nga Shqipëria, pak ditë para ndërhyrjes së uniformave blu.

Admir Hoxha rezulton të jetë larguar nëntë ditë para operacionit, ku ka dalë drejt Kosovës, ndërsa nuk dihet destinacioni final i tij.

Objekti i kthyer në laborator, ishte në pronësi të Xhavit Shutit, i cili pas arrestimit ka dëshmuar se e kishte dhënë me qira ambientin e magazinës por nuk dinte se çfarë ndodhte brenda. Në brendësi të laboratorit, policia gjeti të paktën 160 pako drogë me peshë 150 kg, të dyshuar si opium dhe heroinë, e paketuar dhe e gatshme për transport. /a.y/noa.al

Laboratori i heroinës në Has, si u zhdukën dy turqit dhe bosi shqiptar

Has, zbulohet një laborator për prodhimin e heroinës