Vajza përjeton “ferrin” në Rimini, e mbajnë peng i dashuri dhe babai i tij shqiptarë të Kosovës
Transmetuar më 27-01-2019, 20:55

Një ferr është bërë jeta për një vajzë emigrante në moshë të re, e cila deklaron se është përballur me dhunë fizike nga i dashuri i saj, shqiptar i Kosovës, i cili e mbante të izoluar në shtëpinë e tij.

Jo vetëm kaq, për t’i dhënë një dorë ndihmë të birit, gjithnjë sipas policisë dhe medias italiane, ka ndërhyrë edhe babai i tij, i cili i është sulur vajzës 19-vjeçare duke e kërcënuar edhe ai me dhunë fizike e psikologjike.

Kjo ka ndodhur në Rimini, ku vajza 19-vjeçare me origjinë nga Maqedonia më në fund arriti të denoncojë dhunën e të fejuarit dhe babait të tij, shqiptarë të Kosovës, raporton noa.al duke cituar burime zyrtare të policisë së qytetit bregdetar.

Sikurse pohoi prokurori Davide Ercolani, vajza, shqiptare e Maqedonisë, e kishte njohur online në Facebook, djaloshin 24-vjeçar, rreth pesë muaj më parë, në muajin tetor 2018.

Ai kishte arritur ta bindte vajzën që të shkonte në Itali.

Me të arritur vajza në Rimini, djali e mori dhe e çoi në shtëpi ku jeton me babanë 50-vjeçar.

Që në fillim u përball me izolimin. Babë e bir e përdorën si shërbëtore.

Bënte të gjitha punët e shtëpisë, gatuante dhe u shërbente. Por shpesh rrihej njëkohësisht nga babë e bir.

Dhuna mori fund mëngjesin e kësaj të diele pasi policia e Riminit ndërhyri dhe e çliroi vajzën që jetonte në mjedisin e dhunshëm sikurse ajo ka denoncuar.

Policia tha se vuri në pranga atë e bir, përkatësisht 24 dhe 50 vjeç, shqiptarë të Kosovës që jetojnë prej kohësh në Rimini.

Ata akuzohen për rrëmbim personi (heqje e paligjshme e lirisë) dhe keqtrajtim.

Sipas hetimit që mbështetet në dëshminë e vajzës së re, ajo flinte përtokë, pasaportën ia kishin marrë dhe përballej shpesh me dhunë fizike dhe psikologjike. Nuk mund të dilte kurrë nga shtëpia, një vilë në qytetin e Riminit dhe duhet të ishte gjithnjë në gatishmëri për t’i shërbyer.

Policia tha se vajza kishte arritur të merrte në duar celularin e njërit prej vëllezërve të të fejuarit të saj dhe kishte kërkuar ndihmë duke marrë në telefon të atin në Maqedoni. Ky i fundit ka kërkuar ndihmën e policisë italiane dhe një ekip policor i Riminit lokalizoi thirrjen e më poas shkoi te shtëpia ku ndodhej 19-vjeçarja.

Vajza është dërguar në spital. Mjekët kanë deklaruar se konstatuan shenja dhune fizike në të gjithë trupin e vajzës.

Tani, atë e bir janë në burg ndërkohë që zhvillohet procesi hetimor ndaj tyre.

Që të dy nuk i kanë pranuar akuzat e vajzës denoncuese. /noa.al/