Transmetuar më 15-02-2019, 12:00
Gjyqtari Skender Damini, gjate kontrollit nga policia

Policia e Shtetit del me deklaratë lidhur me kontrollet e befta në banesat e gjyqtarëve që ulën dënimin ndaj Dritan Dajtit.

Duke iu përgjigjur interesimit të medias, Policia e Shtetit konfirmon aksionin e ndërmarrë nga forcat speciale, në zbatim të urdhrit nr. 89, datë 14 shkurt 2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për të ushtruar kontroll në banesat e tre gjyqtarëve, të cilët zbutën dënimin e Dritan Dajtit.

Bëhet me dije se operacioni policor vazhdon edhe në këto momente, por konfirmohet se deri tani janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese.

Në përfundim të operacionit, Policia e Shtetit do të ketë një komunikim të veçantë me median dhe publikun.

Në vijim të kontrolleve u bë shoqërimi i gjyqtarit të Apelit Vlorë, Skënder Damini, gjatë kontrollit të beftë në banesë mëngjesin e sotëm, i janë gjetur afro 20 mijë euro të pajustifikuara si dhe armë pa leje.

Gjatë kontrollit në banesë ka qenë vetë gjyqtari dhe familjarët e tij. Aktualisht gjyqtari Damini është shoqëruar në polici i shoqëruar me avokatin.

Vendimi për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin u dha të premten e kaluar, nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Gjatë këtij vendimi u votua kundër nga dy gjyqtarët e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Ndërsa për uljen e dënimit të tij janë shprehur në favor tre anëtarët e tjerë Skënder Damiani, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla, në banesat e të cilëve është ushtruar edhe kontrolli.

Më 23 korrik 2014, Dritan Dajti u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e oficerëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani në gusht të vitit 2009. /a.y/noa.al

Shpëtuan Dritan Dajtin nga burgimi përjetshëm, kontroll blitz në banesat e gjyqtarëve

Shoqërohet në polici një nga gjyqtarët që uli dënimin për Dajtin, çfarë iu gjet në banesë