Transmetuar më 20-03-2019, 15:23

Raportit 2019 i lumturisë në botë i mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara e rendit Shqipërinë afër fundit të listës, së 156 vendeve të analizuara.

Shqipëria renditet në vendin e 107 në raportin që fokusohet në lumturinë dhe komunitetin: se si lumturia ka evoluar gjatë viteve të fundit, me fokus në teknologji, normat shoqërore, konfliktet dhe politikat qeveritare të cilat kanë ndikuar në nxjitjen e këtyre ndryshimeve.

Sipas këtij raporti, Kosova renditet në vendin e 46, Serbia në vendin e 70-të, Mali i Zi në të 73, Kroacia në vend të 75, Bosnje dhe Hercegovina në 78-in, Maqedonia në të 84.

Sondazhet janë bërë për përiudhën me viteve 2016-2018. Sakaq, në vend të parë renditet sërish Finlanda si vendi më i lumtur në botë, në vend të dytë Danimarka dhe në vend të tretë Norvegjia. SHBA-ja është klasifikuar në vend të 19-të.

Ndërkaq vendi më pak i lumtur në botë është klasifikuar Sudani i Jugut, në vend të 156, ndërsa në vend të parafundit Republika e Afrikës Qendrore. Raporti është publikuar këtë të mërkurë duke përkuar kështu edhe me ditën ndërkombëtare të lumturisë.

Raporti synon të masë dhe të kuptojë mirëqenien subjektive.

Studiuesit kanë përdorur gjashtë tregues për të kuptuar rezultatet: Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, bamirësinë, lirinë për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.