Transmetuar më 20-03-2019, 16:24

Nga Italia, ku ndodhet me punë, Devis Arapi ka thyer heshtjen duke mohuar akuzat e Policisë, se ai ka vrarë Jurgen Kurtin.

Dervis Arapi thotë se nuk ndjeu dhembshuri për vdekjen e Jurgen Kurtit kur mori vesh lajmin dhe thekson se është në dispozicion të Policisë për tu marrë në pyetje.

Ai po ashtu mohon kategorikisht të ketë lidhje me krimin duke shtuar se është besimtar mysliman dhe falet 5 herë në ditë. Arapi thotë se ndodhet në Itali dhe ka mësuar vrasjen e Jurgenit përmes rrjeteve sociale.

"Unë nuk kam asnjë lidhje me vrasjen e Jurgen Kurtit. Nuk kam pasur kurrë ndërmend të hakmerresha për vrasjen e babait tim. Unë jam besimtar dhe gjithçka ia lë në dorë Zotit. Unë jam i gatshëm të vihem në funksion të policisë", është shprehur Arapi.

Më herët nëna e Devisit është shprehur se djali i saj jeton në Itali dhe nuk ka qenë në Shqipëri gjatë këtyre ditëve.

“Sot dëgjova një komunikatë se djali im është shpallur në kërkim. Nuk kemi lidhje fare me vrasjen e Jurgen Kurtit, ka rrengje këtu. Nuk jemi ne aq të fuqishëm sa të vrasim Jurgen Kurtin”, tha Vjollca Arapi në një lidhje telefonike me ‘Ora news’.

“Nuk ka lidhje me djalin tim. Më dhimbset që iku ashtu, por Zoti e pa vetë dhe bëri drejtësinë. Drejtësinë ia vuri Zoti se për shtetin nuk duhet të kishte vdekur por të ishte në qeli që kur vrau babain e tij. Mos më akuzoni djalin, ai po punon për të më mbajtur mua. Jam e vetme mes katër rrugëve”, deklaroi gruaja.

Ajo tha se herën e fundit që ka komunikuar me djalin ishte, kur Devisi erdhi të bënte një prokurë për vdekjen e babait të tij Agim Arapi. Ajo frikësohet se vrasjen e Jurgen Kurtit duan t’ia lënë djalit të saj, ndërsa deklaroi më tej se Devis nuk ka asnjë arsye pse të dorëzohet.

Ekzekutimi i Jurgen Kurtit, mbrëmjen e 18 marsit në rrugën “Zef Jubani”, në Tiranë është kryer në momentin që ishte duke u kthyer në banesë pasi kishte dalë nga palestra, ndërsa autorët e kanë ndjekur nga kjo rrugë deri tek shkallët e pallatit, ku më pas kanë qëlluar me breshëri automatiku.

Kurti është goditur nga 3 plumba të cilët i shkaktuan vdekjen e menjëhershme, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur më shumë se 20 gëzhoja.

Autorët e maskuar janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një makinë Mercedez Benz ngjyrë gri. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë ndërsa mësohet se nuk kanë ndihmuar shumë për zbardhjen e ngjarjes. Pista kryesore të cilën po heton policia është ajo e hakmarrjes./b.l/noa.al/