Shitjet online në zgjerim, sa shpenzojnë shqiptarët për të blerë përmes kompjuterit
Transmetuar më 31-03-2019, 09:05

Shitjet online po njohin zgjerim së fundi. Me zhvillimin e teknologjisë dhe përhapjen e rrjeteve sociale, bizneset po shesin më shumë online, megjithëse jo në formë të organizuar. Si aktorët e tregut, edhe operatorët postarë, raportojnë rritje të volumit të dërgesave. Informaliteti dhe përdorimi i lartë i cash-it në ekonomi vijojnë të mbeten problem. Sa shpenzojnë shqiptarët për të blerë online dhe si renditet Shqipëria në raport me rajonin dhe vendet e BE-së për shitjet online?

Nga Ledina Loga

Tregu i shitjeve online në Shqipëri po vijon zgjerimin. Tendenca në rritje e shitjeve pohohet si nga aktorët e tregut, ashtu edhe nga operatorët postarë që merren me dërgimin e pakove nga biznesi. Megjithatë, informaliteti dhe përdorimi i lartë i cash-it mbeten problematikat kryesore. Aktorët kryesorë të tregut presin që ecuria të vijojë pozitive. Së pari, ata i mbështesin shitjet e tyre te klientët e grupmoshës 17-35 vjeç dhe i shikojnë si target-grup të cilët i rikthehen përvojës së tyre me blerjet online. Së dyti, me zhvillimin e teknologjisë dhe rritjen e përdorimit të smartphone-ve, konsumatorët janë të prirë gjithnjë e më shumë drejt kësaj sjellje konsumatore.

Postat, dërgesat në rritje

Dërgesat e porosive nga shitjet online, që kryhen kryesisht nëpërmjet operatorëve postarë, kanë shënuar rritje dyshifrore. Për Dorian Vezulin, drejtues i Albanian Courier, kompani e cila ofron shërbime postare në vend, trendi i dërgesave nga shitjet online është rritur kohët e fundit. Sipas të dhënave të tyre, dërgesat për vitin 2018 në raport me vitin 2017 njohën rritje me 16%. Ecuria ka vijuar pozitive edhe në muajin e parë të 2019-s. Sipas të dhënave nga Albanian Courier, dërgesat në janar 2019 ishin 19% më të larta se në janar 2018. Pritshmëritë e drejtuesve janë pozitive.

Shumë operatorë postarë kanë marrë rolin e aktorit aktiv dhe kryesor në tregtinë elektronike të vendit ku ata operojnë, duke u shndërruar në operatorë shitës dhe duke mbyllur ciklin door-to-door. Posta Shqiptare, për shkak të infrastrukturës dhe logjistikës që disponon, që nga adresari, qendrat e magazinimit në qytetet kryesore, qendrat e automatizuara të përpunimit dhe vijimit, mjete të motorrizuara etj., për momentin ndodhet ende në hallkën ndërmjetëse të dorëzimit në adresë të objekteve postare, shpesh edhe duke përdorur opsionin cash on delivery.

Për “Monitor”, Posta Shqiptare ka vlerësuar në rritje trendin e tregtisë elektronike brenda vendit, por sidomos atë nga jashtë tij, i cili është dominues. Sipas të dhënave të tyre, vetëm në vitin 2018 është shënuar një rritje e volumeve prej më tepër se 25% krahasuar me një vit më parë. Posta Shqiptare po planifikon që brenda vitit 2019 të kryejë investime të rëndësishme, si në automatizimin e proceseve të brendshme të punës, ashtu edhe në rinovimin dhe shtimin e flotës së automjeteve dhe mjeteve motorike.

Aktualisht, numri i kontratave të Postës Shqiptare me kompani të cilat operojnë në Shqipëri si shitës online në vitin që lamë pas, u rrit me rreth 20% krahasuar me vitin 2017 dhe ky është një tregues që edhe tregtia elektronike brenda vendit po shënon rritje progresive të ndjeshme nga viti në vit.

Shërbimet

Shërbimet, që kërkohen më tepër nga kompanitë e shitjeve online në Shqipëri, të përqendruara më së shumti në Tiranë janë: tërheqja me korrier, dorëzimi në adresë dhe pagesa në momentin e dorëzimit.

Pagesa në momentin e dorëzimit i ka përballur këto biznese me problemin e kohës së prerjes së faturës tatimore dhe kuponit, sidomos në rastin kur objekti postar kthehet nga ana e marrësit për arsye të ndryshme, të cilat vijnë nga raportet shitës-blerës dhe serioziteti në biznes. Megjithatë, kthimet kundrejt operatorëve brenda vendit kanë qenë minimale, jo vetëm sepse një pjesë e bizneseve, në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, nuk e pranojnë kthimin e mallrave që shesin, por edhe për shkak të volumeve jo shumë të mëdha të tregtisë elektronike, krahasuar me vendet e tjera. Qytetet kryesore ku zhvillohet tregtia elektronike janë kryesisht Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Shkodra, Fieri dhe Mati.

Shitjet online nëpërmjet rrjeteve sociale

Rrjetet sociale po përdoren gjerësisht nga bizneset për të rritur aktivitetin e tyre. Sipas të dhënave nga Instagram, vetëm në një muaj, rreth 90 milionë llogari kanë klikuar në postimin e një produkti të caktuar për të mësuar më shumë detaje rreth tij.

Thuajse të gjitha dyqanet, pavarësisht madhësisë, kanë filluar që të operojnë online, falë mundësive pafund që ofrojnë rrjetet sociale për reklamim. Facebook dhe Instagram mundësojnë mjetet e nevojshme për biznesin që të reklamojnë produktet te një treg më i gjerë se sa dyqanet fizike. Kjo tendencë është përhapur në Shqipëri prej disa kohësh, ku çdo dyqan tashmë ka faqen online ku reklamon produktet që shet, pa pasur nevojë që të ketë një faqe të tregtimit online.

Sa shpenzojnë shqiptarët me blerje online

Operatorët kryesorë të tregut thonë se në krye të kërkesës për blerje online janë pajisjet elektronike dhe teknologjike. Blerësit shqiptarë blejnë çka iu ofrohet dhe nuk shpenzojnë kohë të kërkojnë për një produkt. Arsyeja kryesore, sipas tij, është ekonomia e dobët. “Shqiptarët nuk bëjnë blerje të zgjuara, por blejnë vetëm atëherë kur iu duhet diçka”.

Mesatarja e shpenzimit përllogaritet nga 2,800 lekë në 3,200 lekë. Shuma e shpenzuar rritet kur bëhet fjalë për pajisjet elektronike, të cilat kanë edhe çmime më të larta. Shumica e porosive varion nga 1,500 deri në 25,000 lekë.

Pajisjet elektronike janë ndër më të kërkuarat edhe në dyqanet e huaja online. Në vend të parë për vitin 2018, produkti më i shitur online ishin aksesorët e telefonave, si kasat mbrojtëse. Industria e prodhimit të smartphone-ve është në rritje eksponeciale dhe po ashtu edhe aksesorët për to. Produktet më të kërkuara janë kasat mbrojtëse, kapëset e telefonave, mbrojtëset e ekranit, karikues, kufje. Në vend të dytë janë orët inteligjente, më pas renditen produktet e përkujdesjes së trupit, maskat e fytyrës, veshjet sportive, për shtatzëninë, etj.

Sipas statista.com, në shpenzimet për blerje online, vendin e parë e mban Britania e Madhe me 942 euro për frymë, më pas renditen vendet nordike me 717 euro për frymë, Gjermania me 670 euro, Franca me 584 euro, Spanja me 538 euro dhe Italia me 396 euro për frymë.

Të fundit në Europë për blerjet online

Shqipëria është vendi me përqindjen më të ulët të blerjeve online në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe kandidatëve për anëtarësim.

Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës, 85% e të pyeturve kanë deklaruar se nuk kanë kryer blerje online dhe 15% se kanë bërë blerje online. Ndër vendet kandidate, përqindjen më të ulët të blerjeve online pas Shqipërisë e ka Maqedonia, ku vetëm 25% të të anketuarve kanë deklaruar se kanë kryer blerje online. Në Malin e Zi, Serbi dhe Turqi, përqindja e të anketuarve online që kanë deklaruar se kanë bërë blerje online varion nga 31 në 34%.

Mesatarja e të anketuarve në Bashkimin Europian që kanë deklaruar se kanë kryer blerje online është 67%.

Vendet e Bashkimit Europian me përqindjen më të lartë të blerjeve online janë Suedia me 85%, Mbretëria e Bashkuar me 84%, Danimarka dhe Holanda me 83%, Finlanda me 76%. Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Europian që shënuan përqindjen më të ulët të të anketuarve që deklaruan se kanë kryer blerje online janë Kroacia me 33%, Rumania dhe Portugalia me 36% dhe Greqia me 37%.

Ligji që pengon blerjet online

Në gusht të vitit 2016, hyri në fuqi një vendim me të cilin blerjet online mbi 22 euro paguajnë TVSH dhe taksë doganore. Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH, 2.4% taksë doganore).

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se dërgesat me postë u rritën vetëm 1% në 2017-n me rreth 455 tonë, por përsëri pa e arritur nivelin e vitit 2015. Dërgesat me postë kanë pësuar rënie. Sipas llogaritjeve, blerjet online janë sa 70% e totalit të paketave të të ardhurave dhe 30% e kolipostave./monitor/

Loading...
Loading...