Tre shqetësimet kryesore që ka identifikuar opozita në media
Transmetuar më 31-03-2019, 06:22

Nga Lulzim Basha

Kryetar i Partisë Demokratike

Ne po bëjmë një përpjekje tonën për të krijuar një hapësirë të vërtetë bashkëbisedimi dhe bashkëveprimi për çështjet kryesore, kauzat kryesore, sfidat kryesore me të cilat përballet vendi, të cilat mund të jenë dhe duhet të jenë pika të përbashkëta, jo vetëm mes opozitës politike të vendit dhe faktorëve të ndryshëm të shoqërisë, por pika bashkimi për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike.

Aktualisht nuk flasim as për një përgatitje paraelektorale, apo për vizione dhe programe elektorale në raport me përkatësitë ideologjike apo bindjeve politike të Partisë Demokratike, apo kundërshtarëve tanë politikë, por po flasim për çështje esenciale, jetike, të mbijetesës ose jo të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe të vlerave europiane në shoqërinë shqiptare.

Ndarjes dhe kontrollit të pushteteve.

Lirisë së medias, lirisë së shprehjes.

Lirisë së grumbullimit dhe protestës, pa frikë nga represioni qeveritar.

Lirisë së tregut.

Pra, çështjet themelore të lirisë dhe demokracisë për të cilat mund të them me keqardhje më shumë se me ironi, nuk do të ma kishte marrë mendja kurrë që do të uleshit për të diskutuar në një format të tillë 30 vite pas betejës për pruralizëm dhe për Shqipërnë si gjithë Europa.

Si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike, ndaj pikëpamjet e mia dhe të opozitës për problemet e thella ku ndodhet media shqiptare. Nga ana tjetër t’ju bëj një ftesë se pavarësisht, prej volumit të madh të çështjeve që duhet të diskutojmë në raport me median si një komponent i patjetërsueshëm i demokracisë dhe i lirisë, pa media të lirë, nuk ka demokraci, nuk ka shtet të së drejtës, nuk ka vlera europiane.

Po kështu, duhet t’i kushtojmë pak vëmendje edhe problematikës së përgjithshme të vendit në raport jo vetëm me të sotmen, por edhe me të nesërmen, edhe zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme që ne duhet të ndërtojmë së bashku.

Ne si opozitë me vizionin tonë, me zgjidhjet tona dhe ju me kontributin tuaj për t’i bërë këto zgjidhje me të vërtetë reale, të qëndrueshme në mënyrë që problematikat e mëdha, me të cilat ju ndesheni dhe Shqipëria ndeshet, të mos përsëriten në një spirale pa fund që duket se të paktën për 30 vite në një shkallë apo në një shkallë tjetër mban peng disa prej fushave kryesore të demokracisë, lirisë, shtetit të së drejtës.

Në raport me median, e vë theksin tek disa shqetësime kryesore që ne si opozitë, Partia Demokratike dhe unë kemi ngritur prej kohësh.

Së pari, problemi i sigurisë të gazetarëve. Kemi zbritur në një nivel jetik ekzistencial atë të sigurisë së gazetarëve të cilët janë nën trysni dhe kërcënim të vazhdueshëm për shkak të detyrës. Nuk e kam fjalën thjesht dhe vetëm, trysni dhe kërcënime nga pronarët drejtpërdrejt, apo përmes drejtuesve, e kam fjalën për kërcënime për jetën siç ka ndodhur në jo pak raste ndaj kolegëve tuaj, kërcënime që kanë marrë formën e goditjeve me armë.

Së dyti problemi i çensurës dhe autoçensurës për shkak të trysninë direkte apo indirekte për të ardhurat ndaj shumë mediave, nga qeveria dhe pushteti.

Së treti, përdorimi i mediave për avancimin e interesave ekonomike, dhe jo për interesin e vërtetë të mediave, avancimin e interesit publik.

Mediat kanë probleme objektive të vështirësisë, të mbijetesës ekonomike në mënyrë të pavarur, kanë po kështu probleme që lidhen me profesionalizmin çka vjen ose nga mungesa e përvojës, ose nga mungesa e arsimit që kanë çuar me dashje ose pa dashje në braktisjen e misionit të medias në shërbim të interesit publik dhe vënien e medias, pavarësisht profesionalizmit, përkushtimit dhe integritetit të gazetarëve, në shërbim të interesave jopublike, në shërbim të interesave private në disa raste në shërbim deri në interesa kriminale.

Problemi kryesor që ne shohim në raport me median, përtej pavarësisë, është pamundësia apo paaftësia për të hulumtuar dhe pasqyruar problemet e thella të shoqërisë, ekonomisë dhe politikës. Sepse kjo i kthen ato në një përforcues, amplifikues të propagandës së pushtetit pjesërisht edhe kronikanë sipërfaqësorë ndodhi kjo, ndodhi ajo, në vend që të luajnë një rol shumë të rëndësishëm të hulumtimit, investigimit dhe nxjerrjes në sipërfaqe të problemeve të shoqërisë, ekonomisë, politikës, qeverisë, opozitës.

Madje kaq i thellë është bërë ky dimension sa që duhet të denoncojë dhe të hulumtojë politika, që ta japin mediat. Pastaj na akuzojnë ne se jemi bërë ne si media. Jemi bërë shpesh si media për çështje të krimit në veçanti, të korrupsionit për të plotësuar atë që gjykojmë se është një boshllëk i lënë nga media.

Le të shikojmë raportin e fundit të Departamentit të Shtetit.

Është një raport shkatërrimtar për Shqipërinë, për gjendjen e krimit, drogës, pastrimit të parave, korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes, kapjes së shtetit.

Natyrisht, kryeministri do të thotë se janë kadrinjtë e Departamentit të Shtetit që e bënë këtë punë, sepse nuk presim përgjigje thelbësore, aq sa ç’ka dhënë përgjigje thelbësore me rastin e investigimit të kapjes së problemeve nga media, aq  presim që të japë sot përgjigje qeveria.

Me siguri këtë do t’ia atribuojë kadrinjëve të Departamentit të Shtetit, por përtej gjuhës së rënduar, psikozës së rënduar të të parit të qeverisë.

Problemi është se sa hulumtime ka bërë media për këto probleme që ngre Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Sa hulumtim ka bërë media jonë?

Kanë ardhur gazetarë italianë, francezë, amerikanë, sapo kisha një intervistë me një freelancer të Zërit të Amerikës, por, gjithsej në Shqipëri mund të ketë pasur 2-3 investigime të drogës. Të krimit pothuajse fare. Të korrupsionit shumë pak.

Madje sot më shumë rol në hetimin e këtyre problemeve që ka ngritur me forcë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij të publikuar dje, rol më të madh kanë luajtur media të vogla, portale online sesa mediat e rëndësishme dhe të fuqishme kombëtare.

Nuk dua të zgjatem më tej, sepse gjykoj se problematikën e njohin shumë mirë të gjithë ata që janë pjesë e medias, sikundër njoh dhe dua të çmoj përkushtimin dhe integritetin, forcën dhe kurajon me të cilën shumica e tyre përpiqen të bëjnë punën e tyre.

Shërbimi, misioni kombëtar ndaj interesit publik pavarësisht prej kushteve të vështira, kërkon që të orientohemi drejt zgjidhjes, që të mos biem në një nga problemet e medias, kronikën sipërfaqësore të kronikës, në vend të thellimit, hetimit dhe hulumtimit.

Por nuk mundem të mos e them, me një trishtim të madh në zemër se 10 vjet më parë, në këtë javë, kur unë isha ministër i Jashtëm dhe po bëheshim gati për Samitin e NATO-s, ku në 7 prill përfundoi procesi i anëtarësimit si anëtar i denjë i vendit tonë në Aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake që ka njohur bota, ishte qeveria amerikane, aleatja jonë më e fuqishme në këtë arritje historike, për ironi të fatit 10 vjet më pas, pikërisht në javën e përkujtimit të kësaj ngjarjeje madhore, raporti i Departamentit të Shtetit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregon se Shqipëria është kthyer në një vend që nuk ka siguri, por lulëzon krimi, droga, pastrimi i parave, korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes”, për të cituar fjalët e këtij raporti, dhe është kthyer nga një vend bazë sigurie për vendet e tjera, Shqipëria është kthyer në një bazë të krimit të organizuar që vepron nga Amerika e Veriut dhe e Jugut në Europë, deri në Lindjen e Mesme”, – e mbyll citimin e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ose kadrinjëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, siç do t’i quante me siguri zoti kryeministër për të zvogëluar apo asgjësuar domethënien tragjike të këtij raporti për Shqipërinë sot.

Së fundi, pres një hapësirë bashkëveprimi për ta shpëtuar demokracinë shqiptare, për të shpëtuar shtetin e së drejtës dhe për të rinisur dhe çuar deri në fund rrugëtimin e vendit tonë drejt standardeve dhe normave të BE dhe të hapësirës euroatlantike që janë edhe synimi i përbashkët kombëtar i çdo shqiptari dhe objektivi kryesor i Partisë Demokratike dhe i opozitës.