Loading...
Erkand Qerimaj merr medalje bronxi në shkëputje, skualifikohet Godelli
Transmetuar më 12-04-2019, 02:22

Vazhdon konkurrimi i Shqipërisë në Evropianin e Peshëngritjes, që po mbahet në Batumi të Gjeorgjisë dhe i dyti që është ngjitur në pedanë për Shqipërinë, ka qenë sportisti Erkand Qerimaj.

Ai ka konkurruar në baterinë B të kategorisë së peshës trupore deri në 81 kg, duke u renditur në përfundim të garës i dyti, me 347 kg.

Në stilin e shkëputjes, peshëngritësi shkodran ka qenë mjaft i saktë në të 3 provat, duke ngritur fillimisht 155 kg në të parë, pastaj 157 në të dytë dhe duke e mbyllur me sukses me 159 kg në të 3-tën.

Me këtë total, ai është renditur i dyti në këtë stil, duke qenë vetëm një kg më pak sesa spanjolli Andres Eduardo Mata.

Ndërkaq, nuk ka qenë kaq e lehtë për të në stilin e shtytjes, edhe pse rivali i tij spanjoll i ka djegur dy provat e para, duke e mbyllur me 187 të ngritura vetëm në provën e 3-të.

Nga ana e tij, Qerimaj ka ngritur 188 kg në të parën, duke u barazuar me spanjollin në dygarësh.

Por duke synuar mbase për më tepër, për të qenë në valle edhe me rivalët e baterisë A, shkodrani ka bërë dy prova, fillimisht me 193, pastaj me 194 kg, të dyja të pasuksshme.

Kjo ka bërë që ai të renditet i dyti në këtë grup, me total të njëjtë me spanjollin, 347 kg.

Peshëngritësi Daniel Godelli ka zhgënjyer në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë. Shtangisti kuqezi ka dështuar në stilin e shkëputjes në peshën 81kg, duke mos realizuar asnjë nga provat në dispozicion, duke mos dhënë asnjë rezultat.

Në provën e parë, shtangisti kuqezi tentoi të ngrejë 160kg, por pa sukses. Ndërsa në provën e dytë tenton 161kg, por sërish zhgënjen. Këtë peshë provon ta ngrejë edhe në përpjekjen e tretë, por pa sukses. Për pasojë, shtangisti kuqezi nuk jep asnjë rezultat në këtë stil dhe në dygarësh.

Loading...
Loading...