Loading...
Juventus gjunjëzohet përballë talenteve të Ajax, Messi udhëheq Barcelonën përballë M. United
Transmetuar më 16-04-2019, 23:08

Ajaxi ka bërë "mrekullinë" këtë mbrëmje teksa ka eliminuar Juventusin në Torinon, në ndeshjen e vlefshme për tu kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve.

Cristiano Ronaldo, nuk ka mjaftuar që italianët t’ia dalin të fitojnë në Europë, përballë talenteve të Ajaxit.

Holandezët  dominuan në “Allianz Stadium”, në një stadium tërësisht bardhezi, madje nuk u dorëzuan as kur e panë veten në disavantazh, pas golit të shënuar nga Ronaldo në minutën e 28’.

Reagimi i tyre ishte në kufijtë e perfektes, pasi arritën fillimisht të barazojnë me anë të van de Beek dhe të shënojnë në pjesën e dytë golin e fitores me anë të mbrojtësit De Ligt, duke marrë një kualifikim tërësisht të merituar.

Në minutat e mbetura, ishin sërish holandezët, që nuk u tërhoqën mbrapa, por vijuan sulmet në kërkim të golit të tretë, të cilin e gjetën, por arbitri e anuloi për pozicion jashtë loje.

Ajaxi tregoi këtë mbrëmje se nuk ishte aspak rastësor fakti që në fazën e 1/8-ave eliminoi kampionët në fuqi të Europës, Realin e Madridit.

Ajax në gjysmëfinale pret fituesin e duelit, Manchester City-Totenham.

Nuk pati histori në sfidën tjetër të mbrëmjes, atë mes Barcelonës dhe Manchester Unitedit, ku vendasit fituan pastër 3-0 dhe u kualifikuan në gjysmëfinale, me rezultatin total 4-0.

Lionel Messi ishte sërish protagonist, pasi shënoi dy gola në pjesën e parë, konkretisht në minutat 16’ dhe 20’.

Në fillim të pjesës së dytë ishte braziliani Coutinho që vulosi gjithçka, pas golit të shënuar me një asist të mbrojtësit të majtë Jordi Alba.

Lionel Messi në këtë takim, theu mallkimin që kishte rënë mbi të në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke shënuar për herë të parë pas plot gjashtë viteve.

Hera e fundit kur Messi kishte shënuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ishte në sezonin 2012/2013 kundër Paris Saint-Germainit.

Barcelona në gjysmëfinale pret fituesin e duelit çerekfinal mes Liverpoolit dhe Portos./a.k/noa.al/

Loading...
Loading...