Transmetuar më 17-04-2019, 12:30

Ditën e nesërme mbahet seanca e radhës parlamentare, ku gjatë saj është parashikuar një interpelancë.

Bëhet fjalë për një interpelancë me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili është thirrur nga 11 deputetë të “opozitës së re”.

Nëpërmjet kësaj kërkese grupi i deputetëve opozitarë në Parlament, do të kërkojnë sqarime lidhur me grabitjen e bujshme të 9 prillit në aeroportin “Nënë Tereza”, ku u mor një shumë e madhe parash, flitet rreth 6.5 milionë euro.

Interpelanca do të nisë nga deputeti i LSI, Ralf Gjoni në alternim me deputetin demokrat Myslim Murrizi.

Sakaq paralelisht me punimet e seancës, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, do të zhvillojnë protestë.

Bëhet fjalë për një protestë e cila mbahet ashtu sikundër sa herë ka seanca parlamentare, por më e vogël se protesta kombëtare e 13 prillit, e cila u shënua me incidente dhe gaz lotsjellës. /a.y/noa.al