Loading...
Qeveria lëshon dorën për pakicat, prodhim dhe shpërndarje falas nxënësve minoritarë deri në universitet
Transmetuar më 17-04-2019, 19:17

Qeveria ka lëshuar dorën sot për pakicat kombëtare në vend, duke vendosur me një vendim të posaçëm që prodhimi dhe shpërndarja e librave shkollorë për të gjithë nxënësit minoritarë të bëhet falas deri në hyrjen e tyre në universitete.

Vendimi erdhi me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshilli i Ministrave vendosi për shtypjen, botimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore të arsimit bazë për nxënësit e institucioneve arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare.

Ministria përgjegjëse për arsimin siguron përkthimin e teksteve të katalogut zyrtar të teksteve shkollore, nga gjuha shqipe në gjuhën e pakicës kombëtare, në përputhje me lëndët mësimore që zhvillohen në arsimin bazë, të cilat nuk janë gjendje.

Kostoja e përgatitjes, shtypjes, botimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore të arsimit bazë, për nxënësit e institucioneve arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare, mbulohet nga fondet buxhetore të ministrisë përgjegjëse për arsimin.

Për nxënësit e institucioneve arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare, për secilën prej gjuhëve amtare të pakicave kombëtare përkthehet vetëm një alternativë nga katalogu zyrtar i teksteve shkollore.

Alternativa që do të përkthehet do të jetë teksti shkollor më i përzgjedhur nga mësuesit e institucioneve arsimore publike parauniversitare, ku mësojnë nxënës të pakicave kombëtare. Teksti i përzgjedhur dhe i përkthyer nuk ndryshon deri në ndryshimin e programit mësimor. /noa.al/

Loading...
Loading...