Transmetuar më 17-04-2019, 19:38

Tre shqiptarë janë ekstraduar në Shqipëri në 24 orët e fundit, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Është bërë e mundur arrestimi dhe ekstradimi nga Gjermania drejt vendit tonë i të dënuarit, shtetasit shqiptar, Ilir Kapllanaj, 49 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas  ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor  e ka dënuar me 23 vjet burg për veprën penale, "Vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim ".

49-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, në 25 Shkurt 2000, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin G.L, banues në Patos.

Po si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi  në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë i shtetasit G.L, 28 vjeç, banues  në Tropojë.

Shtetasi G.L, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 1 vit e 4 muaj muaj burg për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik, duke ushtruar dhunë fizike, kryer në bashkëpunim”.

Po këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar shtetasin G.L , me 4 vjet burg, për veprën penale “Vjedhje, e kryer në bashkëpunim".

Gjithashtu  është ekstraduar edhe shtetasi R. R., 54 vjeç, banues  në Vlorë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale "Grupit të Strukturuar Kriminal" dhe “Kultivimit të bimëve narkotike". /k.k/noa.al/