Loading...
Tottenham në gjysmëfinale për herë të parë pas 57 vitesh, Liverpool “fluturon”
Transmetuar më 17-04-2019, 23:05

Manchester City dështoi sërish në misionin për të fituar në Europë, pasi u eliminua nga londinezët e Tottenhamit, pavarësisht se fitoi 4-3 mbrëmjen e sotme në stadiumin “Etihad Stadium”.

Sfida nisi në mënyrën më spektakolare të mundshme, pasi në vetëm 21 minuta, u shënuan plot 5 gola, me përmbysje e ripërmbysje. Kështu fillimisht ishte City që zhbllokoi sfidën me anë të Raheem Sterling, por Son Hueng-min shënoi dy herë për Tottenhamin, duke përmbysur rezultatin.

Megjithatë, në minutat 11’ dhe 21’, Manchester City shënoi edhe dy herë të tjera, me anë të Bernardo Silvës dhe Raheem Sterling, duke u rikthyer edhe një herë në avantazh.

Në pjesën e dytë, ishte Sergio Aguero që shënoi golin e katërt për “qytetarët”, të ciëlt për herë të parë arritën rezultatin që i kualifikonte për në gjysmëfinale.

Megjithatë në minutën e 73-të ishte sulmuesi veteran spanjoll, Fernando Llorente, që shfrytëzoi një krosim të Trippier, për të shënuar golin e tretë për Tottenhamin, duke çuar rezultatin në favor të londinezëve.

Sipas supersport, përpjekja e fundit e të besuarve të Guardiolës ishte në minutat shtesë, kur shënuan sërish me anë të Sterling, por festa zgjati vetëm pak sekonda, pasi arbitri anuloi golin për pozicion jashtë loje të sulmuesit anglez.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Liverpooli nuk e diskutoi aspak kualifikimin për në gjysmëfinale, sepse pas fitores 2-0 në “Anfield Road” javën e kaluar, sonte triumfoi me rezultatin 1-4.

Sadio Mane shënoi që në fillim për “the Reds” ndërsa më pas ishte Salah që dyfishoi rezultatin në pjesën e dytë. Mbrojtësi më i ri i Realit të Madridit, Eder Militao rihapi takimin duke shënuar në portën e Alisson, por Firminho dhe Van Dijk vulosën suksesin e Liverpoolit, duke shënuar edhe dy herë të tjera.

Pas mbrëmjes së fundit të çerekfinaleve, janë mësuar edhe 4 skuadrat që do të vijojnë më tej aventurën drejt rrugës së triumfit në Champions, ndërsa dy çiftet gjysmëfinale do të jenë Totenham-Ajax dhe Liverpool-Barcelona.

Loading...
Loading...