Transmetuar më 18-04-2019, 11:53

Me një gjuhë ironike drejtuar deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, tregoi kushtn e panegociueshëm të mazhorancës për reformën zgjedhore.

“Merreni me qetësi dhe dashuri propozimin tim, rregullorja e Kuvendit parashikon që 24 orë para seancës të fusë në rend dite, një vendim, që përmban angazhimin tonë për të punuar së bashku në një objektiv të përbashkët atë të reformës zgjedhore, që do përfshijë reformimin e sistemit zgjedhor, kam propozuar edhe që 28 nëntori që jetë afati i fundit. Deri në fund të seancës keni kohë boll për të pritur, shqyrtuar e pranuar për gjithë propozimet që kanë ardhur”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se Partia Socialiste nuk ka kushte për reformën zgjedhore dhe miraton gjithë kërkesat e OSBE-ODIHR si detyrim i fazës së parë të reformës.

“Por për PS ka vetëm një kusht të vetëm, votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit, janë 1/3 e shqiptarëve që u mohohet vota”, u shpreh Balla.

Në kundërpërgjigje ndaj tij, deputeti Gjoni tha se “Qetësia dhe dashuria të paska mbetur në mendje, sepse angazhimi ynë buron nga axhenda jo të fshehta. Hajde të ulemi dhe të diskutojmë të gjithë bashkë se çfarë i duhet këtij vendi dhe bashkohemi me një draft dhe rrimë këtu deri në orën 12.”.

Po ashtu ai shtoi se vota e shqiptarëve  jashtë vendit, është shumë rëndësishme, por se është çështje administrative. /a.y/noa.al