Transmetuar më 18-04-2019, 16:10

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thotë se me shqetësim të thellë ka përcjellë sot konkluzionet e organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, për regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias. ”Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias dhe paralajmërimi serioz i këtij raporti se “rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë”, është një këmbanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve”, – vëren kryetari i shtetit.

Ai pohon se angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend.

Kurse shton: “Nuk duhet të harrojmë se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike”.

Presidenti citon se neni 49 i Traktatit të Lisbonës e përcakton qartë garantimin e lirisë së shprehjes dhe një vend i cili synon t’i bashkohet BE-së duhet të respektojë garantimin e saj.

Ai gjithashtu thekson faktin se liria e medias është jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Presidenti pohon se në mënyrë të përsëritur kam dënuar me ashpërsi të gjitha sulmet dhe çdo akt dhune ndaj gazetarëve, që fatkeqësisht janë shpeshtuar kohët e fundit. ”Sërish apeloj me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre”, – thotë kreu i shtetit dhe vijon:

“Shpreh solidaritet të plotë me gazetarët e cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik”. /noa.al/

Lexoni dhe: Gazetarët pa Kufij i “tërheqin veshin” Ramës: Mjaft u the medieve shqiptare kazan!

PD: Rama ka vënë nën kontroll shumicën e mediave me tenderë dhe kërcënime