Loading...
ISHP: Sëmundjet e zemrës janë përgjegjëse për afro 60 për qind të vdekjeve në Shqipëri
Transmetuar më 19-04-2019, 16:59

Sëmundjet e zemrës janë përgjegjëse për afro 60 për qind të vdekjeve në Shqipëri, thuhet në një raport zyrtar i pari i këtij lloji që publikoi Instituti i Shëndetit Publik.

Raporti i parë kombëtar i sëmundjeve jo të transmetueshme i publikuar nga Institutit të Shëndetit Publik konfirmon se shqiptaret vuajnë më së shumti nga problemet kardiake, duke u ndjekur më pas nga sëmundjet e mushkërive dhe hipertensionit.

Shefi i Shërbimit të Kardiologjisë në QSUT, Artan Goda, evidenton se më të prekur nga sëmundjet kardiovaskulare rezultojnë të jenë banorët e qarkut të Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës.

Goda thotë megjithatë se vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë frenuar këto vitet e fundit, pasi edhe në raport konstatohet një rënie e tyre.

Por raporti evidenton se vitet e fundit ka një rritje me 30 për qind të sëmundjeve ishemike dhe me infarkt miokardi.

Raporti konstaton se nga këto sëmundje preken më shumë meshkujt sesa femrat.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manasterliu thotë se në sajë të kontrollit bazë shëndetësor, qytetarët kanë mundur të konstatojnë në kohë sëmundjet dhe më pas t’i kurojnë ato, por nuk dha shifra konkrete.

Raportin Shëndetësor Kombëtar mund ta shkarkoni këtu

National Health Report you can download here

Raporti i ISHP

Instituti i Shëndetit Publik, thotë se qëllimi i këtij raporti shëndetësor është që të japë një vështrim të gjerë mbi gjendjen shëndetësore aktuale të popullsisë së Shqipërisë.

Më hollësisht, ky raport kërkon të përshkruajë tendencat e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë që kanë qenë të pranishme në popullsinë shqiptare gjatë viteve të fundit. Veç kësaj, raporti kërkon të nxjerrë në pah faktorët kryesorë të rrezikut dhe determinantët e sëmundjeve dhe vdekjeve në popullsinë shqiptare.

Gjithashtu, raporti përshkruan shkurtimisht burimet e kujdesit shëndetësor, shpërndarjen e fuqisë punëtore, aksesin dhe përdorimin e kujdesit shëndetësor dhe shpenzimet e përfshira në sektorin shëndetësor shqiptar.

Raporti u përgatit nga Genc Burazeri, Arjan Bregu, Gentiana Qirjako, Enver Roshi, Kreshnik Petrela, Mariana Bukli, Peter Achterberg.

Pikat kryesore të raportit

Jetëgjatësia, vdekshmëria dhe barra e sëmundshmërisë në popullatën adulte shqiptare:

Jetëgjatësia e pritshme në Shqipëri është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë njëzet viteve të fundit në të dyja gjinitë (në meshkuj, nga 67 vjeç në vitin 1990 në 73 vjeç në vitin 2012; në femra, nga 71 vjeç në vitin 1990 në 75 vjeç në vitin 2012; Organizata Botërore e Shëndetësisë 2014).

Shumë ndryshime, mes të cilave edhe tranzicioni demografik (11% e popullsisë ishte me moshë mbi 65 vjeç në vitin 2011 në Shqipëri) kanë çuar në mënyrë të natyrshme në një tranzicion të qartë epidemiologjik gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri me një ulje të ndjeshme të sëmundjeve infektive, por me rritje të madhe të sëmundjeve kronike. Në vitin 2012, sëmundjet infektive përbënin 11% të barrës totale të sëmundshmërisë në Shqipëri, duke manifestuar një tendencë të dukshme zbritëse gjatë njëzet viteve të fundit. Gjithsesi, duke marrë parasysh ritmin aktual të përmirësimit, mesatarja evropiane prej 5% e barrës së përgjithshme të sëmundshmërisë mund të arrihet në vendin tonë brenda 10-12 vitesh.

Në vitin 2010, sëmundjet kronike në Shqipëri përbënin rreth 88% të të gjitha vdekjeve (55% sëmundjet kardiovaskulare dhe 19% kanceri; Barra Globale e Sëmundjeve, 2010). Në këtë mënyrë, Shqipëria i është bashkuar shumicës së vendeve evropiane që përballen me epideminë e sëmundjeve kronike, si sfida më madhore e shëndetit publik.

Në mënyrë të veçantë, barra totale e sëmundjeve në meshkujt dhe femrat shqiptare në vitin 2010 ishte më e larta në rajonin e Evropës Juglindore (Barra Globale e Sëmundjeve, 2010).

Në mënyrë specifike, vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Evropës Juglindore (Barra Globale e Sëmundjeve, 2010).

Gjithashtu, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon i cili ka pësuar një rritje të nivelit të vdekshmërisë, nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sëmundjet cerebrovaskulare gjatë dy dekadave të fundit (Barra Globale e Sëmundjeve, 2010), duke dëshmuar për një fazë të hershme në evolucionin e epidemisë koronare, e cila ka qenë e pranishme shumë dekada më parë në vendet Perëndimore.

Në fakt, sëmundja ishemike e zemrës, sëmundjet cerebrovaskulare dhe infeksionet e rrugëve të poshtme respiratore ishin shkaqet kryesore të viteve të humbura të jetës si pasojë e vdekjes së parakohshme në Shqipëri në vitin 2010 (Barra Globale e Sëmundjeve, 2010)

Ka evidencë të një rritjeje graduale në nivelin e vdekshmërisë nga neoplazmat në Shqipëri në të dyja gjinitë. Megjithatë, në vitin 2010, niveli i vdekshmërisë nga neoplazmat në Shqipëri ishte më i ulëti në rajonin e Evropës Juglindore (Barra Globale e Sëmundjeve, 2010). Kjo mund të lidhet me prevalencën jo aq të lartë të duhanpirjes në të kaluarën, e cila aktualisht po rritet dhe do të ketë pasoja shëndetësore negative.

Niveli i vdekshmërisë nga diabeti në Shqipëri në vitin 2010 ishte një nga më të ulëtit në rajonin e Evropës Juglindore (Barra Globale e Sëmundjeve, 2010).

Nga ana tjetër, niveli i vdekshmërisë nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike në Shqipëri është një nga më të lartit në rajon (Barra Globale e Sëmundjeve, 2010).

Shëndeti dhe ushqyerja e nënave dhe e fëmijëve:

Në vitin 2013, vdekshmëria foshnjore në Shqipëri ishte 13 vdekje për 1,000 lindje të gjalla (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, 2014), e cila përbën një nga nivelet më të larta në rajon dhe është shumë më e lartë në krahasim me raportimet zyrtare kombëtare, sipas të cilave ky tregues është 7.8 vdekje për 1,000 lindje të gjalla (Instituti i Statistikave, 2014).

Vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç në Shqipëri është ulur gradualisht gjatë dekadës së fundit (8.4 vdekje për 1,000 lindje të gjalla në vitin 2013; Ministria e Shëndetësisë 2014). Megjithatë, ashtu sikurse për vdekshmërinë foshnjore, ekziston një nënraportim i ndjeshëm nga të dhënat zyrtare të institucioneve shqiptare si pasojë e nënregjistrimit të numrit të vdekjeve.

Gjithashtu, ka evidencë të një uljeje të qëndrueshme të nivelit të vdekshmërisë amtare gjatë dy dekadave të fundit.

Në tërësi, ndryshimi nga viti 1990 në vitin 2013 i referohet një uljeje prej 33% (Organizata Botërore e Shëndetësisë, 2014).

Sëmundjet infektive, sëmundjet neonatale dhe ato amtare përbënin rreth 22% të vdekshmërisë së përgjithshme në Shqipëri në vitin 1990, por vetëm 6% në vitin 2010. Shqipëria përballet me barrën e dyfishtë të kequshqyerjes: prapambetja në rritje (stunting) është ulur, por ende përbën problem në shëndet publik, kurse mbipesha te fëmijët është tendencë në rritje.

Barra e mbipeshës është spostuar nga fëmijët e zonave urbane, që i përkasin nënave me arsim të mesëm ose të lartë dhe që jetojnë në familje më të pasura në vitin 2005, te fëmijët që jetojnë në familje më të varfra në zona rurale në vitin 2009, gjë që tregon qartë për tranzicionin nutricional që po kalon vendi ynë [Studimi Demografik dhe Shëndetësor i Shqipërisë (ADHS), 2010].

Faktorët e rrezikut

Në Shqipëri, tre faktorët e rrezikut përgjegjës për pjesën dërrmuese të barrës së sëmundshmërisë në vitin 2010 ishin rreziqet e lidhura me dietën ushqimore (i pari), hipertensioni arterial (i dyti) dhe duhanpirja (i treti) (Barra Globale e Sëmundjeve, 2010). Prevalenca e duhanpirjes mund të rritet nëse nuk merren masa, dhe kjo mund të frenojë seriozisht rritjen e jetëgjatësisë së pritshme dhe uljen e mundshme të barrës së sëmundjeve kronike.

Raportin Shëndetësor Kombëtar mund ta shkarkoni këtu

National Health Report you can download here

Loading...
Loading...