Loading...
Zbulohet personi që mori me qera servisin ku u modifikua furgoni i grabitjes
Transmetuar më 22-04-2019, 11:00

Zbulohet emri i personit që mori me qera, servisin ku u modifikua furgoni i përdorur për grabitjen në aeroportin e Rinasit.

Bëhet fjalë për Eldi Çalën, i cili është vëllai i Klement Çalës, i dyshuar si bashkëpunëtor i Admir Murataj për grabitjen e bankave.

Klement Çala është shpallur në kërkim lidhur me grabitjen e blindave me para, në 9 shkurt të vitit 2017, në aksin rrugorë Qafë Kashar- Rinas.

Dyshohet se Klementi ka përdorur vëllanë e tij Eldi për marrjen e servisit me qera, ku dhe u bë modifikimi i furgonit me mbishkrimin “Hetimi tatimor”, me të cilin u krye edhe grabitja e bujshme e 9 shkurtit.

Po ashtu Klement Çala rezulton se është arratisur bashkë me Admir Murataj nga burgu i Trikalasë, më 22 mars të vitit 2013, si dhe është i dyshuar në Greqi si i përfshirë në grabitjen e Bankës Kombëtare Greke në Larisa.

Gjatë ditës së djeshme policia ka arrestuar katër persona, të dyshuar si të përfshirë në grabitjen e 9 prillit.

Të arrestuarit janë Alkond Bengasi, Saimir Çela, F.Beqiraj dhe Renaldo Sula.

Dy prej të ndaluarve, janë arrestuar pasi dyshohet se kanë qenë ata personat që kanë modifikuar furgonin që u përdor për vjedhjen e parave, në të cilin ishte mbishkrimi “Hetim Tatimor”. Të dyshuarit u identifikuan nga gjurmët e gishtave të gjetura në dy furgonët të cilët u përdorën për tu larguar.

Grabitja e thasëve me para ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë. /a.y/noa.al

Grabitja në Rinas, dalin emrat e katër të arrestuarve

Makina e grabitjes në Rinas u modifikua në Elbasan, një femër ndihmoi autorët

Loading...
Loading...