Loading...
Vdekja e 25-vjeçares në maternitet, arrestohen dy mjekët e Elbasanit
Transmetuar më 22-04-2019, 20:58

Pak orë pas ngjarjes tragjike në maternitetin e Elbasanit, ku gjeti vdekjen 25-vjeçarja Rexhina Debrova, autoritetet kanë arrestuar dy mjekë.

Bëhet fjalë për kardiologun Mehmet Ibajn dhe reanimatorin Niko Thano.

Ata pritet të japin shpjegime mbi atë që ndodhi në sallën e operacionit, edhe pse institucioni e ka dhënë shpjegimin zyrtar.

Mësohet se lindja është kryer me operacion në maternitetin e Elbasanit, por pas ndërhyrjes 25-vjeçarja ka pësuar arrest kardiak.

Bëhet me dije se pasi nëna e re ka pësuar arrest kardiak, mjekët gjinekologë kanë kërkuar ndihmën e kolegëve kardiologë.

Por familjarët pretendojnë se vonesa e mjekëve të zemrës, ka bërë që 25-vjeçarja e cila bëhej nënë për herë të parë të gjejë vdekjen. Fatmirësisht foshnja i seksit mashkull, gëzon shëndet të plotë.

Pas vdekjes së 25-vjeçares një orë pas lindjes ka reaguar Qendra spitalore e Elbasanit. Në një deklaratë për mediat, spitali thotë se e reja pësoi komplikacion, ndërsa mjekët dhanë shërbimin maksimal.

Megjithatë pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes së nënës së re nnë Elbasan. Por spitali nuk tregon orën e vdekjes së gruas së re.

“Duke shprehur ngushëllimet familjarëve për humbjen e 25-vjeçares R. D., Spitali rajonal Elbasan sqaron opinionin publik në lidhje me humbjen e jetës së 25-vjeçares” si vijon: Pacientja R. D. u paraqit në spital më datë 22.04.2019 në orën 10:25 paradite.

Pacientja ka ardhur me urgjencë në spital, me barrë të vonuar 42-javëshe dhe është futur në sallë, ku mjekët asistuan lindjen e fëmijës, i cili erdhi në jetë në orën 11:50.

Foshnja u reanimua dhe gëzon shëndet të mirë. Stafi mjekësor ka dhënë trajtimin e duhur mjekësor, por nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperator trombemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën. Aktualisht priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për shkakun e vdekjes së nënës”, deklaron spitali.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme në spitalin e Elbasanit, ndërkohë familjarët e vajzës kanë ngritur akuza ndaj stafit mjekësore, duke u shprehur se mjeku kardiolog është vonuar një orë dhe nuk ka mundur ta shpëtojë.

25-vjeçarja nga Katundi i Ri ndërroi jetë rreth 1 orë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë në maternitetin e këtij qyteti, fatmirësisht foshnja gëzon shëndet të plotë. /k.k/noa.al/

Loading...
Loading...