Kryetarja e LRI, Floida Kërpaçi: Cila është zgjidhja për zgjedhje normale
Transmetuar më 25-04-2019, 14:04

“E vetmja zgjidhje është qeveria tranzitore, që garanton zgjedhje të lira pa ndikimin e krimit”

Kryetarja e LRI, Floida Kërpaçi në një intervistë sot, thotë se protesta e 11 majit do të ketë pjesëmarrje masive prej të rinjve dhe qëndrueshmëri e palëkundur e qytetarëve deri në realizimin e kërkesave.

“Kjo lëvizje për ndryshim nuk ka të bëjë me partitë opozitare por me nevojën e popullit shqiptar, e shtetit shqiptar 30-vjeçar tashmë në tranzicion”, shtoi Kërpaçi.

Ndërsa ka komentuar vendimi e parlamentit të Holandës për rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, ajo nënvizoi se është një lajm shumë i hidhur.

“Kjo për vetë faktin sepse një votim në mazhorancë të thellë në Parlamentin Holandes për rikthimin e vizave parashikon një votë refuzuese në qershor të Holandës për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE”, – tha ish deputetja e LSI.

Çfarë pritet të ndodhë në protestat në vazhdim, ku me 11 maj është paralajmëruar protesta kombëtare?

Pjesëmarrje masive prej të rinjve dhe qëndrueshmëri e palëkundur e qytetarëve deri në realizimin e kërkesave. Kjo lëvizje për ndryshim nuk ka të bëjë me partitë opozitare por me nevojën e popullit shqiptar, e shtetit shqiptar 30-vjeçar tashmë në tranzicion, që të mbyllë kapitullin e pushtetit të papërgjegjshëm që pi gjakun e qytetarëve dhe ridimensionimi i përfaqësimit qytetar për tu përfaqësuar sa më denjësisht zëri dhe interesat e shoqërisë në organet vendimmarrëse.

Vendimi final i PD-LSI është se s’ka zgjedhje pa u plotësuar kushtet për qeveri tranzitore. Si do të veprojë LSI-ja nëse zgjedhjet mbahen më 30 qershor?

Fronti Opozitar e ka bërë publik vendimin për të pamundësuar mbajtje të zgjedhjeve farsë. Edhe në diktaturë kanë votuar qytetarët por nuk kanë zgjedhur. Unë besoj se shqiptarët dhe brezi i ri kanë nevojë ti jepet fund zgjedhjeve të manipuluara përmes krimit të organizuar apo duke përdorur administratën publike në zgjedhje. Për të arritur standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, Shqipëria kandidate për çeljen e negociatave ka nevojë për zgjedhje që prodhojnë përfaqësues të interesit real të qytetarëve dhe jo thjesht zgjedhje formale ku mandatin e rrëmben i forti, krimineli apo ata që janë të sponsorizuar nga bota e errët e të paligjshmëve.

Si e komentoni nxitjen dhe thirrjen që Ambasada Amerikane dha për cilindo kandidat që të regjistrohen në zgjedhjet lokale?

Më 28 mars 2019 Departamenti Amerikan i Shtetit i dorëzoi Kongresit raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe pastrimit të parave. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit e cilëson Shqipërinë si një bazë operacionale për organizatat e krimit të organizuar që operojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Europë, në Lindjen e Mesme dhe në Amerikën e Jugut. Gjithashtu raporti i DASH thotë se korrupsioni i shtrirë në të gjitha fushat e jetës ka cënuar trajektoren pozitive që pritej të ecte reforma në drejtësi. Një reformë prej të cilës pritej të merrte jetë dhe shpresa e brezit të ri për një Shqipëri më të mirë ku brezi i ri do të jetojë e punojë;dhe jo të emigrojë. Unë e mirëkuptoj gjuhën publike diplomatike, por raporti i DASH konfirmoi shqetësimet e ngritura nga opozita për situatën e kapjes së shtetit nga krimi dhe mbytjen e demokracisë nga rilindja, ndaj besoj se edhe vetë diplomatët janë të interesuar që të gjitha këto çështje të mësipërme të rregullohen. E vetmja zgjidhje për vendin është qeveri tranzitore, që garanton zgjedhje të lira e të ndershme pa ndikimin e krimit.

Holanda e mori vendimin për kthimin e vizave për shqiptarët por vulën e vë BE-ja. A rrezikon Shqipëria të kthehen në një vend të izoluar?

Vendimi i parlamentit të Holandës për rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptar është një lajm shumë i hidhur. Kjo për vetë faktin sepse një votim në mazhorancë të thellë në Parlamentin jolandez për rikthimin e vizave parashikon një votë refuzuese në qershor të Holandës për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE. Me Edi Ramën dhe partneritetin e tij me krimin Shqipëria ka njohur vetëm izolim dhe jo hapje drejt botës. Ikja e kësaj qeverie, rrëzimi i këtij sistemi kriminal e të korruptuar, janë prerogativa të pakapërcyeshme për ëndrrën 29-vjeçare të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Sa janë plotësuar kërkesat e studentëve që nga protestat e janarit?

Pakti për universitetin është mashtrimi i Rilindjes. Qeveria e Edi Ramës i ka lënë në baltë të rinjtë, studentët mbi të gjitha, pasi i ka lënë pa arsim cilësor dhe më kritikja pa mundësi punësimi. Tregohet qartë nga veprimet e saj që rinia për ta nuk është prioritet dhe e vetmja alternative që u ofrohet është ose futja në rrugën e errët të punëve të kriminalitetit ose emigrimi.  LSI është partia e të rinjve dhe ne jemi te angazhuar të ofrojmë për rininë arsim cilësor dhe vende pune për punësim të mirëpaguar që rinia ta shohë të ardhmen në Shqipëri e të mos ketë nevojë të emigrojë. Me largimin e Edi Ramës e qeverisë së tij, rinia shqiptare përmes programit të LSI do të ketë mbështetje pa kufi për të ndërtuar të ardhmen këtu ku kanë shtëpinë e tyre, familjen e tyre.

Loading...
Loading...