Sa do të paguajmë për sigurimin e makinës që nga 1 prilli 2020
Transmetuar më 12-05-2019, 07:43

Nga 1 prilli 2020, qytetarët do të blejnë primin e sigurimit të automjeteve sipas sjelljes që kanë treguar në timon gjatë një viti. Një udhëzim i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në fund të marsit të këtij viti sanksionon zbatimin e sistemit Bonus-Malus për sigurimin MTPL e brendshme (përgjegjësinë ndaj palëve të treta) duke i hapur rrugë një faze të re në tregun e sigurimeve. Bonus-Malus nuk është diçka krejtësisht e re për tregun. Zbatimi i tij përflitet dhe kërkohet prej vitesh.

Madje, në vitin 2015, u finalizua edhe një draft-udhëzim paraprak, por që më pas u tërhoq për rishikim. U deshën katër vite të tjera që AMF të rikthehej me një udhëzim tjetër që pas miratimit nga Bordi ka marrë fuqi të plotë. Kompanitë sigurimit, nga 1 prilli i këtij viti, sipas udhëzimit janë ngarkuar me përgjegjësinë e raportimit të çdo dëmi në sistem. Kjo do të krijojë mundësinë që pas një viti, çdo kompani të faturojë primin e çdo drejtuesi në bazë të dëmeve që ka shkaktuar ai gjatë një viti, sipas një historiku 1-vjeçar.

Sa do të paguajmë sipas sistemit të ri Bonus-Malus, koeficientët

Nëse nuk ke asnjë dëm në harkun kohor të një viti që do të shërbejë si bazë për nxjerrjen e primeve nga aktualët, drejtuesit e mjeteve do të hyjnë automatikisht në klasën 13, që është klasa për vitin e parë të vënies në zbatim të sistemit. Ekstremet, nëse je një shofer i mirë ose jo i mirë, janë që primi mund të të përgjysmohet nëse nuk ke asnjë dëm ose mund të të dyfishohet nëse arrin në klasën e fundit penalizuese. Por le të mendojmë një situatë hipotetike me primin që kemi sot në treg.

Nëse dikush ka një mjet, primi i të cilit është 19 mijë lekë dhe gjatë një viti nuk ka kryer asnjë dëm, ai hyn në sistemin Bonus-Malus në vitin 2020 me një reduktim të primit. Koeficienti i vendosur në klasën 12 është 0,94, çka do të thotë që drejtuesi do të paguajë një prim 17 860. Krejt e kundërta do të ndodhë nëse ai ka kryer një dëm, çka e kalon atë në rritje me dy klasa, nga klasa hyrëse duke e çuar në klasën 15.

Primi përkues në rastin tonë do të ishte 24 700 lekë. Kur i njëjti drejtues ka një sjellje të mirë në timon dhe nuk shkakton asnjë dëm, tendenca ulëse vijon vit pas viti me nga një klasë. Kjo do të thotë që, nëse marrim sërish primin hipotetik prej 19 mijë lekësh, pas 13 vitesh pa asnjë dëm, drejtuesi i mjetit do të paguajë vetëm 9500 lekë, kurse nëse ka shkaktuar dëme të vazhdueshme dhe përfundon në klasën 18, pra ekstremi i sipërm penalizues, primi i tij do të shkojë 38 000 lekë, shkruan ‘monitor’.

Një qytetar mund të kalojë automatikisht në klasën 18, nëse rezulton se ka kryer dy dëme brenda vitit dhe ndërkohë, klasa e tij hyrëse ishte 13. “Shoqëritë e sigurimit mund të përdorin edhe koeficiente të tyre të brendshme, por duhet t’u garantohet të siguruarve ekstremi i sipërm për çdo klasë. P.sh; një shoqëri sigurimi për të siguruarit në klasën 14 mund të përdorë koeficient më të ulët se 1.15, sipas strategjisë së saj të biznesit, por për të njëjtën klasë nuk mund të përdorë koeficientë më të lartë se 1.15”, thuhet në udhëzimin e AMF.

Udhëzimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për rastet specifike

Udhëzimi i AMF ka përcaktuar qartë se kompanitë kanë detyrimin që të publikojnë në çdo pikë shitjeje, tabelën për mënyrën sesi lëvizet brenda klasave në bazë të dëmit. I njëjti përcakton edhe sesi do të veprohet për raste specifike, kur një automjet regjistrohet për herë të parë apo në rastin e shtetasve me nënshtetësi jo shqiptare.

“Kontrata e sigurimit është e caktuar në klasën e meritës 18, nëse në rastin e regjistrimit të mjetit për herë të parë nuk paraqitet leja e qarkullimit të mjetit si dhe akti i pronësisë.

Për të siguruarit me nënshtetësi joshqiptare, që sigurohen për herë të parë në Shqipëri, është caktuar klasa e meritës 14, me përjashtim të rasteve kur i siguruari më nënshtetësi joshqiptare dorëzon një certifikatë të lëshuar nga shoqëria e huaj, me të cilën ka qenë i siguruar më parë, që lejon identifikimin e klasës universale sipas kritereve të paraqitura në tabelën e mësipërme”, vlerëson udhëzimi.

Pavarësisht zëvendësimit të automjetit, një drejtuesi i njihet klasa e tij e meritës.

“E drejta për të mbajtur të njëjtën klasë Bonus-Malus i njihet të siguruarit jo vetëm në rastet e ndryshimit të Automjetit, por gjithashtu, edhe në rastin e shitjes, daljes jashtë përdorimi ose çregjistrimit nga Regjistri i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPShTRr), në rastin kur këto procese ndodhin pas përfundimit të periudhës së sigurimit”, përcaktohet në udhëzim.

Loading...
loading...
Loading...