Transmetuar më 04-06-2019, 15:23

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka mbërritur mesditënn e sotme në qytetin e Korçës ku i ka siguruar banorët se shtëpitë e të gjithëve që janë prekur nga tërmeti do të rregullohen, por ka kërkuar që të bëjnë durim.

Ajo tha se do të dëmshpërblehet çdo banor i prekur nga tërmetet. Më tej, Olta Xhaçka nënvizoi se strukturat e vullnetarëve shtetërore i janë bashkuar MM-së në këtë aksion.

“Do ju ndihmojmë të rimëkëmbim çdo gjë që keni humbur. Këto janë ditë të vështira, por ne do bëjmë maksimumin. Në mënyrë sa më të shpejtë do përpiqemi t’ju dëmshpërblejmë. Të gjithë shtëpitë do të rregullohen. Bëni vetëm pak durim, sepse këto janë ditë të vështira", u shpreh Xhaçka.

Korça u trondit nga tërmetet e vazhdueshme. Si rrjedhojë u shkaktuan shumë pasoja në banesa, ndërsa janë plagosur edhe 5 persona. Banorët janë strehuar përkohësisht në qendra sociale ose spitale, kurse autoritetet kanë premtuar rikonstruksion të banesave.

184 është numi i banesave të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara. Fshatrat më të prekura janë Floqi, Qafëzezi dhe Vidohova.

Një ditë më parë kryeministri Rama ka premtuar se të gjitha banesat e shembura në Korçë, si pasojë e tërmeteve të shumta do të rindërtohen.

Në një status në Facebook, kreu i qeverisë u shpreh se pas bilancit të të gjithë dëmeve, në fazën tjetër do të nisë dëmshpërblimi dhe rindërtimi i banesave të shkatërruara./b.l/noa.al/