18% e shqiptarëve nuk dinë se nga do tu financohet pensioni
Transmetuar më 10-06-2019, 07:43

Kursimi në mënyrë të vazhdueshme i një pjese të të ardhurave familjare, është veçanërisht i rëndësishëm për arsye se zotërimi i kursimeve e bën familjen apo individin rezistent ndaj goditjeve të paparashikuara financiare. Ato gjithashtu ndihmojnë në shmangien e huamarrjes për të mbuluar shpenzimet e përditshme dhe në përballimin e periudhave me të ardhura të ulëta, siç është periudha e pensionit.

Për të adresuar këto çështje, rreth 1000 të intervistuar nga Banka e Shqipërisë i janë nënshtruar pyetjeve: (1)“Nëse ju sot do të përballeshit me një shpenzim të lartë (për shembull, të barabartë me të ardhurat tuaja mujore), a jeni në gjendje ta paguani pa qenë nevoja të merrni borxh apo të kërkoni ndihmën e miqve dhe familjarëve?”; (2) “Sa i sigurt jeni që ia keni dalë mbanë të krijoni një plan të mirë pensioni?”; si dhe (3) “Si do të financohet pensioni yt?”.

Rezultatet e anketës treguan se një përqindje relativisht të lartë individësh që nuk e dinë se si do të financohet pensioni i tyre (18%).

Të dhënat tregojnë se vetëm 29% e të intervistuarve mund të përballen me një shpenzim të lartë (sa të ardhurat mujore) pa marrë borxh apo ndihmë nga miqtë dhe familjarët e tyre. Pra, pjesa më e madhe e individëve nuk zotëron kursime të mjaftueshme, dhe si rrjedhim nuk janë në gjendje të përballen me ndonjë goditje të paparashikuar financiare.

Gjithashtu vetëm 27% e tyre janë të sigurt ose shumë të sigurt se kanë një plan të mirë pensioni, 39% janë pak ose aspak të sigurt, ndërsa 16% shprehen se nuk kanë fare një plan të tillë, shkruan ‘monitor’.

Nga të dhënat vihet re një peshë e madhe e skemës publike të pensionit (67%), si dhe rëndësia e mbështetjes nga individët e tjerë të trungut familjar (fëmijët dhe familjarët, me 12% përgjigje pozitive, dhe partneri, me 7%, respektivisht alternativa e dytë dhe e tretë më e zgjedhur), duke dëshmuar kështu për peshën e ulët të mënyrave të institucionalizuara financiare alternative, si skema private të pensionit (6%), skema shtesë të pensionit të ngritura nga punëdhënësi (2%) apo dhe të ardhurat e përfituara nga investimi i të mirave financiare/ materiale (2%).

Loading...
loading...
Loading...