Haradinaj për përplasjet me Ramën: Tregova të vërtetën
Transmetuar më 15-06-2019, 08:41

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për përplasjet me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Ai thotë se është përshëndetur edhe me të gjatë shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, duke deklaruar se nuk ka pasur rast të sqarohet me të për mosmarrëveshjet pas Samitit të Berlinit.

“Unë i përshëndeta publikisht edhe kryeministrin Rama dhe presidentin Meta, është mirë që kanë ardhur. Nuk kam pasur rast të sqarohem. Unë e pata ftuar edhe në hapjen e autostradës “Arbën Xhaferi”, ai më pati premtuar që do të vijë, por nuk erdhi, pastaj nuk kam pasur rast”, deklaroi Haradinaj.

Ai tha se etiketimet që i kanë bërë njëri-tjetrit në distancë, nuk duhen marrë si të tilla.

“Etiketimet nuk duhet me i marrë si të tilla. Unë mund t’ia konfirmoj opinionit që kam shprehur respekt dhe mbështetje për të majtën, por këto nuk i kam thënë në ndonjë axhendë. Unë kam treguar një të vërtetë që ka ndodhur në Berlin, dhe që në mënyra të ndryshme e konfirmuan edhe vetë”, deklaroi ai në “Interaktiv” në Koha Vision.

Më tej, kreu i ekzekutivit foli për një samit të mëparshëm të organizuar në Durrës, kohë kur në krye të diplomacisë shqiptare ishte Ditmir Bushati.

Haradinaj tregoi se në atë kohë, Bushati i kishte thënë se nuk mund të dalë e të kundërshtojë idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Ishte samiti i Durrësit dhe erdhi ministri Markovic, më vonë u bashkua komisionari Hahn dhe në një rast i thash Ditmir Bushatit, ‘i nderuar ministër, si ka mundësi që ju nuk e keni një qartësi në respektim të territoreve të Kosovës dhe si nuk dilni kundër lëvizjes me territore për Kosovën’, ai më tha që ‘unë e kam shef Edi Ramën dhe nga ai varet se sa do të jem në Qeveri’”, deklaroi Haradinaj, duke shtuar se nga këto përvoja e bëjnë që të ketë kujdes. Ai thotë se ishte angazhim direkt edhe i Thaçit edhe i Ramës që ai të reflektojë për shkak të autoriteteve të larta evropiane.

Loading...
loading...
Loading...